2016-07-29 14:14:00

Atë Lombardi: sot Papa takohet me misterin e dhimbjes


Drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, atë Federico Lombardi, në mikrofonin tonë, kujton mbresat kryesore të ditës së djeshme të Papës në Jasna Gora e në Krakov. Komenton, pastaj, edhe ngjarjet e sotme: një ditë, në të cilën Françesku u takua me dhimbjen dhe me vuajtjen, në disa prej aspekteve më prekëse të saj: nga kampet naziste të përqendrimit – tek Udha e Kryqit me të rinjtë.

Pyetje - Atë Lombardi, mbrëmë, në ceremoninë e mirëseardhjes të të rinjve me Papën - që dëshmoi edhe një herë dëshirën për dialog - Françesku u shkëput disa herë nga teksti, për të biseduar me të rinjtë e për t’u drejtuar pyetje jetike. Cila është përshtypja juaj për këtë ceremoni  të shumëpritur edhe nga të rinjtë polakë?

Përgjigje: - Pritej shumë edhe nga vetë Papa, sepse ka muaj që përgatitet për këtë shtegtim e për takimin me të rinjtë. Por ka edhe përmasa të tjera tejet të rëndësishme në këtë shtegtim. Ajo, që jetuam  dje pasdite,  por edhe ajo për Pagëzimin e Polonisë, e pastaj, sot, vizita në kampin e përqendrimit të Auschwitz-Birkenau, me gjithë ato kujtime të tmerrshme. Dje pamë 178 flamuj të po aq vendeve të ndryshme duke u shpalosur para Papës. Mesazh i madh ky: të mblidhesh bashkë,  të rrish bashkë për të mbrojtur vlerat e vërteta, për t’i kumtuar botës mëshirën, për të përhapur  në të katër anët, pa kurrfarë frike, britmën e gëzimit, për të ndërtuar një botë të re, për t’u angazhuar në ndryshimin e gjërave - siç theksoi Papa gjatë homelisë - me shërbim, solidaritet, dashuri. Sot kemi nevojë të jashtëzakonshme për këtë mesazh. Të rinjtë e DBR-së, të udhëhequr nga Papa, me entuziazmin e tij, me aftësinë për t’i nxitur për punë të mëdha e ëndrra të mëdha, bëhen me të vërtetë protagonistë në shërbim të shpresës për botën, botë e cila është kjo, që e  njohim! Po sot nis një meditm tjetër, pa këngë e valle: në heshtje, duke u lutur e duke qarë, me Papën, në kampin e përqendrimit të Auschwitz-Birkenau. Është kujtim i tmerrshëm, më bën të mendoj jo vetëm për të kaluarën, por  për gjithë praninë e së keqes në botën e sotme, e edhe në atë të së nesërmes. Pra mund ta quajmë qortim i jashtëzakonshëm, i fuqishëm, që vijon me hapat e tjera, të cilat do t’i jetojmë me Papën në Udhën e Kryqit  dhe në Eukaristinë, e cila na projekton drejt një misioni të ri. Të gjitha elemente  të një përgjigjeje të madhe korale, të cilën do të përpiqemi ta japim këtu, me ndihmën e Zotit, për një botë, që ka nevojë të jashtëzakonshme.

Pyetje: - Një reflektim lidhur me programin e sotëm? Është ditë, që iu kushtua posaçërisht dhimbjes e vuajtjes. Me vizitën në Auschwitz-Birkenau, por edhe me atë në Spitalin pediatrik, pranë fëmijëve, që vuajnë, e pastaj edhe Udha e Kryqit, në mbrëmje. Kjo përmasë është tejet e fortë sot…

Përgjigje: - Në të vërtetë edhe unë po reflektoj për programin e sotëm. Thashë me vete: “Pa shiko, sot është pikërisht dita e takimit me dhimbjen, në aspekte të ndryshme: në mëngjes, në kampet e Auschwitz-Birkenau, pranë dhimbjes së shkaktuar nga urrejtja, nga absurditeti vrasës më i tmerrshëm, që ka parë historia e njerëzimit, më gjakatari, që mund të mendohet e që të shtyn të bësh një meditim të madh mbi misterin e së keqes. E Papa e bëri. Pa fjalë. Në heshtje. Me lot në sy. Plot me dhembshuri për gjithë atë, që ndodhi, plot me pyetje të pashprehura, të cilave nuk është aspak e lehtë t’u japësh përgjigje. E pastaj, takimi me një tip tjetër të vuajtjes, atë të fëmijëve të sëmurë, fëmijëve të pafajshëm, që vuajnë… Edhe ky, mister i madh… E pastaj të kërkosh kuptimin e kësaj vuajtjeje për ta e për njerëzit, që i duan. Nuk është aspak e lehtë. Në këtë kuptim besoj se Udha e Kryqit  e mbrëmjes, kushtuar veprave të mëshirës trupore e shpirtërore, na vë përballë Misterit të Kryqit të Krishtit, për t’i kërkuar Atij, që vuan, të na ndihmojë t’u bëjmë ballë vuajtjeve të botës, pasojë e shkaqeve nga më të ndryshmet. Në Udhën e Kryqit këto vuajtje kujtohen e përmblidhen të gjitha. Më duket se kjo është ditë shumë e rëndësishme, aq më tepër në çastin që po jetojmë, në të cilin shqetësimet, vuajtjet, atentatet, të vdekurit, konfliktet, na rrethojnë vazhdimisht e bëjnë pjesë në horizontin e përditshëm të përvojës sonë. Atëherë, ta jetojmë këtë ditë duke medituar me Papën, duke e shoqëruar në këto udhë të takimit me dhimbjen më absurde, shkaktuar nga urrejtja më e çmendur, si ajo e vizitës së paradites. E edhe të takimit me dhimbjen e pasdites, që ka shkaqe të tjera, por që për ne, është njëlloj misterioze. E ta kërkojmë përgjigjen në fe, duke iu lutur Zotit të na ndihmojë e të na përgjigjet, nësa e kundrojmë dhe e shoqërojmë më Udhën e Kryqit: më duket se kjo është vërtet një ditë e madhe!








All the contents on this site are copyrighted ©.