2016-07-28 12:23:00

Papa në Çestokovë: Zoti na shëlbon, duke u bërë i vogël, i afërt dhe konkret


Dita e dytë e Papës Françesku në Poloni filloi me vizitën në Kuvendin e murgeshave të Paraqitjes së Zojës në Tempull. Gjatë vizitës, Ati i Shenjtë u lut në kapelën kushtuar themelueses së Kongregatës, Zofia Czeska-Maciejowska. Të pranishme, edhe 50 vajza nga shkollat e Institutit. Në Librin e Nderit të kuvendit, Papa shkroi: “Duke iu falenderuar për shërbimin e çmuar, ju bekoj e ju inkurajoj në misionin tuaj edukativ: kultivojini me dashuri farat e mirësisë, bukurisë e të së vërtetës, që Zoti mbjell ndër brezat e rinj”.

Vizita te kard. Macharski, sëmurë rëndë

         Menjëherë pas, Ati i Shenjtë shkoi në spitalin e Krakovit për një vizitë të shkurtër tek kardinali Franciszek Macharski, i cili lëngon nga një sëmundje e rëndë. Kardinali ka qenë kryeipeshkëv i Krakovit, menjëherë pas Karol Vojtilës, që u bë Papa Gjon Pali II. Vizitë e paparashikuar në program, për të cilën Papa foli me ipeshkvijtë polakë, në takimin e mbrëmshëm.

Mesha në Jasna Gora

         Paraditja përfundoi me një takim tejet të rëndësishëm, me meshën në shenjtëroren e Jasna Gorës, në Çestokovë, për 1050-vjetorin e pagëzimit të krishterë të Polonisë. Mijëra besimtarë, autoritetet më të larta të shtetit, qindra ipeshkvij e meshtarë polakë, por edhe nga vendet e tjera, qenë të pranishëm në këtë kremtim, që nuk mund të mos sjellë ndërmend atë të 50-vjetëve më parë, kur Papa Pali VI nuk mundi të merrte pjesë në festimet e 1000-vjetorit të krishterimit në vend, sepse komunistët nuk e lejuan.

Në këtë shenjtërore, polakët nderojnë “Zojën e zeshkët”, festa liturgjike e së cilës kremtohet më 26 gusht. Sipas traditës, ikona e shën Marisë është pikturuar nga Shën Luka. Sipas kritikëve të artit ajo është me origjinë bizantine, e tipit “Odigjitria” (ajo që tregon rrugën e udhëheq në të), pikturuar ndërmjet shekujve VI e IX.








All the contents on this site are copyrighted ©.