2016-07-28 13:52:00

Papa në Jasna Gora: njeriu tundohet nga pushteti, por Zoti banon tek i vogli


“Zoti na shpëton, duke u bërë i vogël, i afërt e konkret. Joshja nga pushteti, nga madhështia e nga dukja është tragjikisht njerëzore, dhurimi i vetes për të tjerët, duke mbetur i vogël, është ëmbëlsisht hyjnore”. Kështu tha Papa sot paradite në meshën e kremtuar në shenjtëroren e Jasna Gorës, para mëse 500 mijë besimtarëve. Ndër ta, edhe shqiptarët me në krye kryetarin e Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot Angelo Massafra, i cili u mban të rinjve katekizmin në gjuhën shqipe.

Zoti e shpëton botën, duke hyrë në ngjarjet e përditshme

         Papa Françesku u lut fillimisht para fugures së Zojës së Zeshkët, së cilës ia besoi popullin polak. La dhuratën e papëve për Shën Marinë: një trëndafil të artë. Gjatë homelisë së meshës, kujtoi së Zoti hyn në botë jo triumfalisht, por si më i vogli i të vegjëlve, duke u bërë një me ngjarjet e përditshme. Ashtu si në Kanë të Galilesë, ku Jezusi bëri mrekullinë e parë, shndërroi ujin në verë, gjatë dasmës së një çifti të ri. Zoti nuk ndenji larg:

         “Joshja nga pushteti, nga madhështia e nga dukja është tragjikisht njerëzore dhe përbën një tundim të madh, që përpiqet të hyjë kudo; dhurimi i vetes për të tjerët, duke i zhdukur distancat, duke u bërë krejt i vogël e duke banuar konkretisht në jetën e përditshme, kjo po, është ëmbëlsisht hyjnore”.

Zoti preferon të vegjlit

         Zoti preferon të vegjlit, shpjegoi Papa. Ata janë të mëdhenj në sytë e Tij; atyre ua zbulon emrin e vet dhe sekretet e Zemrës së Tij. Ati i Shenjtë përmendi martirët e popullit polak, ata që dëshmuan dashurinë e Hyjit edhe në sprova të rënda, ata që kumtuan Mëshirën Hyjnore, me butësi e forcë njëkohësisht, si shën Gjon Pali II dhe shën Faustina Kowalska:

         “Përmes këtyre ‘kanaleve’ të dashurisë së Tij, Zoti i ka dhënë dhurata të paçmuara gjithë Kishës e mbarë njerëzimit. E është kuptimplote që ky përvjetor i Pagëzimit të popullit tuaj përkon pikërisht me Jubileun e Mëshirës”.

Edhe ne duhet të bëhemi të afërt me njerëzit

         Ati i Shenjtë i ftoi të gjithë të mësojnë në shkollën e Hyjit, që nuk sillet si sovran i largët e plot pushtet, nuk qëndron në fronin e qiellit apo në librat e historisë, por ecën bashkë me njerëzimin:

         “Duke menduar për dhuratën e një mijëvjeçari plot fe, është bukur, së pari, të falenderojmë Zotin, i cili ka ecur me popullin tuaj, duke e marrë për dore, si babai fëmijën e, duke e shoqëruar në shumë situata. Edhe si Kishë, jemi të thirrur të bëjmë kështu: të dëgjojmë, të marrim pjesë e të bëhemi të afërt, duke ndarë gëzimet e problemet e njerëzve, që Ungjilli të kuptohet në mënyrën më koherente e të sjellë më shumë fryte”.

         Zoti është konkret, lind nga një nënë, vijoi Papa i ndërprerë nga duartrokitjet:

         “Edhe historia juaj, e mbruajtur me Ungjill, Kryq dhe besnikëri ndaj Kishës, është frymëzuar nga një fe e pastër, transmetuar nga familja në familje, nga etërit tek bijtë e, sidomos, nga nënat e nga gjyshet, që duhen falenderuar shumë”.

Zoja na ndihmoftë t’i kapërcejmë plagët e së kaluarës

         Zojës, së vetmes “lavdi njerëzore”, shembull i veprimit të Hyjit, asaj që i ka për zemër problemet dhe ndërhyn me kujdesin e Nënës, duke sjellë “paqe në mesin e mëkateve dhe të trazirave të historisë”, Papa ia besoi bashkimin e popullit polak, në 1050-vjetorin e pagëzimit të tij:

        “Në rrugën e popullit tuaj keni kapërcyer, të bashkuar, shumë çaste të vështira; Nëna, e fortë në këmbët e Kryqit dhe këmbëgulëse në lutje së bashku me dishepujt në pritje të Shpirtit Shenjt, dikoftë dëshirën për të shkuar përtej padrejtësive dhe plagëve të së kaluarës e për të krijuar bashkim me të gjithë, pa i lënë kurrë vend tundimit për t’u izoluar e për t’u imponuar”.








All the contents on this site are copyrighted ©.