2016-07-28 16:22:00

Francë: identifikohet edhe atentatori i tretë


Fshihen pas fesë, për të maskuar planet e tyre mortore. Kështu u shpreh kryeipeshkvi i Parisit, kardinali André Vingt-Trois, gjatë Meshës së djeshme në kryeqytetin francez, për dy atentatorët, që sulmuan kishën e Saint Ettienne të Rouvray, ku u mbyt barbarisht famullitari, atë Jacques Hamel. I pranishëm në Meshë, presidenti Hollande dhe kryeministri Manuel Valls. Hollande njoftoi sot se mendon të krijojë rojen kombëtare, që do të ndihmojë  forcat e rendit në luftën kundër sulmeve terroriste. Konfirmohet, ndërkaq, edhe identiteti i atentatorit të dytë, që ishte i skeduar nga autoritetet franceze.

Nëntëmbëdhjetëvjeçari Abdel Malik ishte i skeduar, ashtu si edhe Adel Kermiche, me gërmën “S” të njerëzve, që lidhen me Is e mund të kalojnë në aksion. Kërkohej prej pesë ditësh nga policia. Të dy të rinjtë, autorë të sulmit mbi kishën e Saint Etienne-de-Rouvray, ku u ther në fyt famullitari, Jacques Hamel, duken në video pranë flamurit të Is. Njëri nga të dy lexon tekstin tradicional të besnikërisë ndaj emirit al-Baghdadi. Filmimi u përhap nga Is. Nga të katër anët e botës, ndërkaq, vijojnë të vijnë mesazhe, që e dënojnë si krim të shëmtuar vrasjen e meshtarit francez, 86 vjeç. Nga pala myslimane, imami i madh i Al-Azhar, Ahmad Al-Tayyib, autoriteti më i lartë fetar sunnit, me seli në Kairo, bën thirrje për bashkim kundër “kancerit të terrorizmit”. “Autorët e këtij sulmi barbar - shkruan - janë  të zhveshur nga parimet tolerante të Islamit, që predikon paqen, urdhëron të mos vrasësh njerëz të pafajshëm e të respektosh të gjitha viset e kultit jo myslimane. E akoma, presidenti palestinez, Mahmud Abbas, në një letër drejtuar Papës, e dënon çdo lloj  shfajsimi, “që do të guxojë të përdorë emrin e fesë për këto akte barbare kundër njerëzimit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.