2016-07-27 14:16:00

Papa lutet tek varri i shën Gjon Palit II. Përshëndetja e refugjatëve


Sot paradite, në orën 10.00, Papa Françesku shkoi në Bazilikën e Vatikanit dhe u ndal në lutje tek varri i shën Gjon Palit II. Menjëherë pas, përshëndeti një grup fëmijësh të sëmurë, së bashku me familjet, shoqëruar nga anëtarët e Shoqatës Peter Pan, të cilët përkujdesen për t’u gjetur strehë në Romë, të afërmve të fëmijëve të shtruar në spitalin pediatrik “Bambin Gesù”.

         Më pas, në orën 13.30, para se të nisej nga Shtëpia e Shën Martës për të shkuar në aeroportin e Fiumiçinos, Ati i Shenjtë u përshëndet nga një grup prej 15 të rinjsh refugjatë, nëntë djem e gjashtë vajza, me kombësi të ndryshme, ardhur kohët e fundit në Itali e akoma pa dokumente. Të rinjtë ndiqen nga Lëmoshtaria Apostolike e do të kishin dashur të merrnin pjesë në DBR-në e Krakovit, por nuk mund të nisen për shkak të mungesës së lejeqëndrimit. Ata i uruan Papës rrugë të mbarë e i thanë se bashkohen shpirtërisht me të rinjtë e mbarë botës, mbledhur në Poloni.

Sonte, në orën 20.35, Papa lidhet me të rinjtë italianë, që ndodhen në shenjtëroren e shën Gjon Palit II në Krakov. Takimi transmetohet nga televizioni Tv2000 e nga RadioInBlu. Ati i Shenjtë u përgjigjet tri pyetjeve. Më vonë përshëndet nga dritarja e kryeipeshkvisë, njerëzit e mbledhur në sheshin para saj.








All the contents on this site are copyrighted ©.