2016-07-27 13:32:00

Krakovi në festë: të rinjtë e gjithë botës, me Papën Françesku


Para se të nisej për në udhëtimin e tij apostolik në Poloni, Papa Françesku shkoi mbrëmë në Bazilikën e Zojës së Madhe, në Romë, për t’iu lutur Virgjërës Shenjte e për t’i kërkuar Zotit bekimin e Tij, që ky shtegtim të shkojë mirë. Në Poloni e presin mijëra të rinj, për të cilët Dita Botërore e Rinisë filloi dje, me meshën e kremtuar nga kardinali Stanislaw Dziwisz, që u kërkoi të gjithëve të luten për meshtarin e vrarë në kishën e Rouenit, në Francë.

Në Blonia, mesha e hapjes së DBR-së

         Por as shqetësimi për faktet tragjike, as shiu i rrëmbyer mbi parkun e Blonias, nuk i pengoi 400 mijë të rinjtë, ndër të cilët edhe shqiptarë, të marrin pjesë në meshë, duke dëshmuar – ashtu të bashkuar – se vëllazërimi është i mundur e se bashkëjetesa nuk është ëndërr, edhe kur dhuna e terrori krijojnë një spirale ankthi, që e godet mu në zemër Evropën. Këtyre të rinjve - shpresa e Kishës - kardinali Dziwisz u uroi mirëseardhjen në disa gjuhë:

         “Të dashur miq, mirëseerdhët në Krakov…

Dziwisz: dhuna mundet me flakën e mëshirës

         Ish-sekretari personal i Papës Wojtyla u kërkoi të pranishmëve të jenë bartës të gjuhës së dashurisë, të solidaritetit dhe të paqes. E edhe të gjuhës së Mëshirës Hyjnore, apostujt e së cilës kanë qenë dy bij të Krakovit, shën Faustina Kowalska dhe shën Gjon Pali II. Reliket e tyre u çuan me procesion në elter, së bashku me dy simbolet e DBR-së: Kryqi dhe ikona e Zojës Salus Populi Romani. Kardinali Dziwisz kujtoi se në Poloni kanë ardhur edhe të rinj nga vende dhune e terrori, ku të krishterët persekutohen pa mëshirë. E  duke dhënë shembullin e shën Faustina Kowalska-s, i inkurajoi të përpiqen që “flaka e dashurisë”, flaka e mëshirës ta ndezë krejt botën. Është e vetmja rrugë, tha kardinali, për ta mundur egoizmin, dhunën dhe padrejtësinë.

Nesër, të rinjtë përqafojnë Papën

         Nesër, pikërisht në parkun e Blonias, të rinjtë do të takojnë për herë të parë Papën Françesku. “Wtjai – mirësevjen!”: kjo është parrulla madhështore shumëngjyrëshe, në zemër të Krakovit, në qytetin e shën Gjon Palit II, i cili i themeloi këto takime rinore. E gazetat, duke vënë në dukje se  të rinjtë kanë “pushtuar” qytetin, i urojnë në polonisht e spanjisht mirëseardhjen Papës Bergoglio, i cili deshi që në Poloni e veçanërisht në Krakov të kremtohej njëherësh DBR-ja e sivjetme dhe Jubileu i të rinjve në Vitin Shenjt të Mëshirës. Po nesër, Ati i Shenjtë do të shkojë në shenjtëroren e Jasna Gorës e do të kremtojë meshën për 1050-vjetorin e pagëzimit të krishterë të Polonisë.








All the contents on this site are copyrighted ©.