2016-07-26 00:00:00

Kush ka frikë, nuk ka të ardhme: fjalët profetike të Nënë Terezës dhe të shën Gjon Palit II


Më 2 janar 1991, pak para Luftës së Gjirit Persik, Nënë Tereza, e Lumja shqiptare e bamirësisë Ganxhe Bojaxhiu, pati shkruar një letër të hapur për presidentët e SHBA-ve dhe të Irakut, me të cilën u përgjërohej “në emër të të varfërve e të atyre, që do të bëhen të tillë, nëse shpërthen lufta” të ktheheshin në veprimtarë të paqes e të mos e ndiznin shkëndijën, e cila do të shkaktonte konfliktin e përgjakshëm, që pasoi. E i paralajmëronte: “Mund ta fitoni luftën, por cila do të ishte kostoja e saj në jetë njerëzish, të shkatërruara, të gjymtuara e të asgjësuara”.

12 vjet më vonë, në janar 2003, Gjon Pali II mbajti një fjalim të rëndësishëm para Trupit Diplomatik të akredituar në Selinë e Shenjtë, duke pohuar se “dialogu ekumenik ndërmjet të krishterëve dhe kontaktet plot respekt me fetë e tjera, në veçanti me islamin, përbëjnë ilaçin më të mirë kundër orientimeve sektare, fanatizimit dhe terrorizmit fetar”.

Fjalë, që nuk u dëgjuan, e që sot marrin kuptim profetik, duke i dhënë botës dy mësime të mëdha. Së pari, një leksion për luftën. Shumë konflikte e kanë përgjakur globin, por “terrorizmi fetar”, siç e quante shën Gjon Pali II – pra, veprimtaria e verbër dhe burracake, që e kthen fenë në mjet urrejtjeje ideologjike – akoma ekziston e nuk është mundur aspak. Madje, është shndërruar në një konflikt të përhershëm, në një luftë globale kundër njerëzimit, që godet këdo e kudo.

Në Nicë, në zemër të Evropës, 84 viktimat e atentatit të 14 korrikut, u përkasin kombësive nga më të ndryshmet – francezë, italianë, tunizianë, armenë, amerikanë, gjermanë, gjeorgjianë, zviceranë, algjerinë, polakë, belgë, kazakë, nga Madagaskari – e rreth 30 prej tyre janë myslimanë. Në shtetin e Bornos, në verilindje të Nigerisë, mëse 240 mijë fëmijë janë të sëmurë nga ushqimi i keq, për arsye të konfliktit tragjik, shkaktuar nga dhuna vëllavrasëse e terroristëve të Boko Haramit.

         Ato fjalë të shqiptuara nga dy shenjtorë të mëdhenj të ‘900-ës na japin së dyti, edhe një leksion të rëndësishëm mbi rolin që mund të kenë fetë në përvijimin e gjeopolitikës së re të mëshirës. Edhe dialogu ekumenik nuk është thjesht çështje për intelektualë e konferenca akademikësh, por aq më shumë ai ndërmjet feve kërkon të ndërtohen parreshtur vende takimi ndërmjet burrave e grave me fe të ndryshme; vendtakime, që mund të kthehen në oazë paqeje.

E duhet ta pyesim veten ç’është sot Kontinenti i Vjetër? Zygmunt Bauman, sociolog e filozof polak me origjinë hebraike, ka pohuar, kohët e fundit, se Evropa duket se është kthyer në një vend të karakterizuar nga pasiguria, nga armiqësia ndaj të huajit e nga “frika e së ardhmes”. Por, vijon Bauman, kontinenti mund të dalë nga kjo gjendje nëse ndjek me vendosmëri Papën Françesku, kur fton për “kulturën e dialogut” dhe për shmangjen e “ndeshjes ndërmjet qytetërimeve”, duke realizuar “shpërndarjen e drejtë” të fryteve të punës.

Kjo është, pa dyshim sfida e së ardhmes: duke kujtuar mësimet profetike të së kaluarës e të vetëdijshëm për mundësitë, që na ofron kultura e dialogut, mund të impenjohemi për të ndërtuar një botë, që shkon përtej tipareve të saj çnjerëzore. E megjithëse e tashmja merr pamjet e zymta të atentateve terroriste, ose pamjet e shpërfytyruara të refugjatëve, që ikin nga shtëpitë e tyre, me fe e guxim, nuk duhet të kemi frikë nga e ardhmja. Sepse kush ka frikë, nuk ka të ardhme.

(Marrë pjesërisht nga artikulli i Gualtiero Bassetti-t, me titull origjinal “Chi ha paura, non ha futuro”, botuar në gazetën “L’Osservatore Romano” të së shtunës, 23 korrik 2016)








All the contents on this site are copyrighted ©.