2016-07-25 13:41:00

Kardinali Tauran: vetëm kultura e takimit fiton mbi urrejtjen dhe terrorin


Nuk ka zgjidhje tjetër, përveç edukimit me kulturën e dialogut dhe të takimit: kështu pohon kreu i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, kardinali Jean-Louis Tauran, duke komentuar atentatet e kohëve të fundit, që po trondisin jetën e kaq shumë njerëzve. Ta dëgjojmë vetë kardinalin Tauran:..

Pak e nga pak, kur arrijnë këto lajme, njeriu pyet veten: “Pse? A mos vallë, njeriu është bërë për vdekjen?”. Ngjarje të këtij lloji nuk mund të mos na çojnë drejt këtyre pyetjeve themelore për kuptimin e jetës… Besoj se në një botë ku gjithçka është e brishtë, e pasigurt, edhe marrëdhëniet tona me vdekjen kanë ndryshuar. Dikur thuhej: “Herët a vonë, njeriu vdes”, por në fund të fundit, askush nuk besonte se do të ndodhte shpejt. Tani, vdekjen e kemi pas dere përditë: dalim nga shtëpia, por nuk e dimë nëse do të kthehemi. Mendoj se kjo ndjenjë është thellësisht shqetësuese për njerëzit.

 Cili është qëndrimi, që duhet mbajtur para kësaj jete të brishtë?

Puna është e gjitha, tek edukimi. Që në familje duhet filluar t’i edukojmë fëmijët të respektojnë të moshuarit, të studiojnë historinë. Ne nuk jemi të parët: jemi pjesë e një bashkësie, e cila ka një histori, që duhet njohur e përvetësuar. Mendoj edhe se duhet të mendojmë për një filozofi të re takimi. Nuk mund të jemi të lumtur njëri pa tjetrin e aq më pak njëri kundër tjetrit. E të kemi besim në Zotin, sepse në fund të fundit, është Ai, që e drejton historinë.

Cili është rreziku më i madh, në gjendjen aktuale?

Rreziku më i madh është që kur të kalojnë dhimbja dhe rebelimi, urrejtja të pushtojë zemrat, bisedat dhe sjelljet tona. Duhet ta ndihmojmë njëri-tjetrin për ta dëgjuar zërin e Jezu Krishtit, që thotë: “Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t’ju çlodh”. Por dialogu vazhdon: ka shumë dëshmi solidariteti, vërtet mallëngjyese, nga ana e myslimanëve – mendoj për princin bin Talal të Jordanisë, për shembull. E dialogu shkon edhe përpara: kemi rifilluar shkëmbimet me Universitetin e al-Azharit të Kajros. Pastaj, duhet të kemi parasysh ndjenjat e shumicës së myslimanëve, që i dënojnë këto veprime, këto krime të neveritshme. Mendoj se gjendja na dikton një urgjencë e kjo është edukimi. Edukimi i brezave të rinj! Njeriu i ndryshëm nga unë, që praktikon një fe tjetër, nuk është armiku im. Të gjithë jemi krijesa të Zotit, jemi pjesë e njerëzimit; të gjithë ne kemi marrë dy dhurata të jashtëzakonshme nga Zoti: inteligjencën, për të kuptuar, dhe zemrën, për të dashur. Ky është mesazhi, që duhet të përhapim… ky është mesazhi, që të rinjtë duhet ta dëgjojnë e ta shohin me sytë e tyre se na e frymëzon jetën tonë të përditshme. Nuk ka zgjidhje tjetër, përveç dialogut. Siç them gjithnjë: “Jemi të dënuar të dialogojmë”.

Ju jeni optimist, pavarësisht nga situata?

Po del tani një libër, në të cilin janë mbledhur disa nga fjalimet e mia në fushën ndërfetare. Titulli është evokativ: “Besoj tek njeriu”. Unë e di se njeriu ka gjithnjë mundësi të ndryshojë, të kthehet kah Zoti. E besoj shumë në fuqinë e zemrës. E di, falë fesë sime, se vdekja nuk e ka fjalën e fundit.

Diçka për ç’po ndodh tani në Turqi…

Nuk dua të merrem me politikë, sepse nuk bën pjesë në kompetencat e mia. Por, hyrja në rrugën e shtypjes e të represionit e bën më të vështirë që Turqia të jetë urë ndërmjet Lindjes e Perëndimit, partnere në dialogun ndërfetar. Gjithsesi, duhet të presim zhvillimin e ngjarjeve…

Çfarë ka nevojë të kuptojë njerëzimi sot?

Nuk ekziston filozofi tjetër, përveçse asaj, që na bën të kuptojmë se jemi të gjithë pjesë e të njëjtit njerëzim, jemi të gjithë në kërkim të Zotit e duhet ta respektojmë njëri-tjetrin.








All the contents on this site are copyrighted ©.