Ta vështrojmë figurën e Shën Jakut, sipas Benediktit XVI që foli në katekizmin
e audiencës së përgjithshme të 21 qershorit 2006. Porosia e Papës Ratzinger është
të mësojmë nga Shën Jaku gatishmërinë për ta ndjekur pas Jezusin, sepse rruga e jetës
së tij simbolizon gjithë shtegtimin e jetës së krishterë.
Shën Jaku u quajt "i madh" për ta dalluar nga apostulli tjetër i Jezu Krishtit, me
të njëjtin emër. Ishte i biri i Zebedeut dhe vëllai i madh i Gjonit. Jezusi e zgjodhi
atë, së bashku me Pjetrin e Gjonin, që të ishin dëshmitarë të disa ngjarjeve të jashtëzakonshme,
siç janë shërimi i vjehrrës së Shën Pjetrit, ringjallja e së bijës së Jairit, shndërrimi
mbi Malin Tabor dhe agonia në kopshtin e ullinjve në Gjetseman. Jaku ishte peshkatar
i thjeshtë e, ashtu si Pjetri, iu përgjigj me gatishmëri thirrjes së Jezusit, duke
lënë varkën e babain me shegertët. Ndoqi, kështu, gjurmët e Krishtit, duke braktisur
skemat që të krijojnë siguri. Zelli i tij për të ecur pas Krishtit ishte aq i rrëmbyer,
sa Jezusi i quajti atë e të vëllain “Boanerghes”, bijtë e bubullimës. E kjo ndoshta
sepse të bijtë e Zebedeut janë protagonistë të ngjarjes që ndodhi në një fshat samaritanësh,
banorët e të cilit nuk deshën ta mikpresin Jezusin. “Zot, a dëshiron të themi që të
zbresë zjarr nga qielli e t’i bëjë hi e pluhur?” - pyesin dy nxënësit, në sa Zoti
u përgjigjet me një qortim. Në se kundërveprimi i Jakut e i Gjonit diktohet nga dashuria
për Mesinë, Jezusi mëson mospërdorimin e dhunës, mësim që sot, kur vëmendja e gjithë
popujve është përqendruar rreth Tokës ku u zhvilluan ngjarjet për të cilat po flasim,
tingëllon më aktual se kurrë. Nxënësi mësoi ç’kishte ndër mend të bënte Mesia, kur
e pa të shndërrohej mbi malin Tabor dhe pastaj në agoni, në Kopshtin e Ullinjve. Por
përvoja e vërtetë, që e çoi drejt pjekurisë, qe ajo e Kryqit. Apostullit iu desh të
parandiejë se Mesia, i pritur si ngadhënjimtar, në të vërtetë nuk ishte i rrethuar
vetëm me nderime e lavdi, por edhe me vuajtje e ligështi, se lavdia e Krishtit realizohet
pikërisht në Kryq, në pjesëmarrjen e Tij ndër vuajtjet tona”.
Pasi kërkon një trajtim të posaçëm në mbarimin e kohës, mëson edhe se të ndjekësh
Krishtin do të thotë të pish së bashku me të një kelk tepër të hidhur. E Jaku e piu
me të vërtetë kelkun! Viktimë e persekutimit të parë judaik pas Rrëshajëve, gjatë
të cilit qe burgosur e qe rrahur mizorisht, u martirizua në vitin 42 pas Krishtit
nën Herodin Agripa. Ky është edhe lajmi i fundit që na jep Besëlidhja së Re për Jakun
e Madh.
Nga përvoja e Shën Jakut Apostull mësojmë gatishmërinë për ta pranuar thirrjen e Jezusit
edhe kur na kërkon ta lemë varkën e sigurive tona njerëzore, mësojmë se duhet ta ndjekim
me entuziazëm në rrugët që na tregon, larg çdo mendjemadhësie; mësojmë se duhet ta
dëshmojmë me guxim, e në se është e nevojshme, deri në flijimin më të lartë, deri
në dhurimin jetës”.
Sipas traditës, Shën Jaku ungjillëzoi Spanjën e trupi i tij pushon në paqe në Santiago
të Kompostelës, ku sot festa e Apostullit u kremtua me madhështi. U paraqit, si çdo
vit “ofrenda” apo lutja tradicionale drejtuar Apostullit. Në kremtimin, tashmë shumëshekullor,
ndërthuren tradita shpirtërore e folklorike, që ndiqen nga shtegtarë të cilët nisen
nga të katër anët e botës, për t’u bashkuar në lutje pranë varrit të Apostullit. Katër
janë rrugët që çojnë në Santiago, të cilat në Puente la Reina takohen e bëhen një
rrugë e vetme…” me këto fjalë nis “Doracaku i shtegtarit të Santiagos”. E shtegtarët
evropianë që prej dhjetë shekujsh vijojnë të ecin në këmbë nëpër të katër rrugët,
për t’u pastruar shpirtërisht tek Varri i Apostullit të madh, Pajtorit të Spanjës,
të shtegtarëve, të kalorësve e të njerëzve që vuajnë nga reumatizmi. Prandaj simbolet
e Shenjtit janë kapela e shtegtarit dhe guaska e detit.
All the contents on this site are copyrighted ©. |