2016-07-24 14:46:00

Papa: në Munih e Kabul, akte të dënueshme terrorizmi. Në DBR, të bashkuar në lutje


Mendimi për aktet e dënueshme të terrorizmit e të dhunës në Munih të Bavarisë, në Gjermani e edhe në Kabul të Afganistanit. E pastaj, lutja për DBR-në e Krakovit dhe për kuptimin e Atynës, që me Jezusin, na ndihmon ta kuptojmë se nuk mund të jetohet pa bukë, pa ndjesë e pa ndihmën e Zotit në tundime. Këto ishin sot në qendër të reflektimeve të Papës,  në lutjen e Engjëllit të Tënzot.

Të dënueshme, aktet e terrorizmit e të dhunës, që në këto orë e trandën shpirtin tonë! Në lutjen e së dielës, Papa u ndalua përsëri tek ngjarjet dramatike të Munihut, në Gjermani, ku të premten pasdite u masakruan 10 vetë e, me ta, edhe vrasësi i ri. Ndërsa në Kabul të Afganistanit, një atentat i dyfishtë shkaktoi vdekjen e më se 81 njerëzve të pafajshëm. Françesku u shprehu afërsinë e tij familjarëve të të vdekurve si dhe të plagosurve. E i ftoi të gjithë besimtarët të bashkohen me lutjen e tij.

Në të dielën, kur Ungjilli i Lukës na fton të meditojmë për kuptimin e lutjes drejtuar Zotit, për Atynën, Papa Françesku kujtoi se Zoti “i njeh më mirë se ne vetë, nevojat tona”, por dëshiron t’ia paraqesim me guxim e ngulm, sepse kjo është mënyra jonë për të marrë pjesë në veprën e tij të shëlbimit:

“Lutja është mjeti i parë e kryesor i ‘punës’, në duart tona! Të ngulim këmbë me Zotin, nuk do të thotë ta bindim, por të forcojmë fenë tonë e durimin tonë, domethënë, aftësinë tonë për të luftuar së bashku me Zotin për gjëra vërtet të rëndësishme e të nevojshme. Në lutje jemi dy vetë: Zoti e unë, në luftë të përbashkët për gjëra, që meritojnë të mbrohen”.

Lutja e Jezusit, pra lutja e krishterë, kujtoi, do të thotë, para së gjithash, t’i bësh vend Zotit, ta lejosh të shprehë shenjtërinë e Tij në shpirtin tonë e të bësh të përparojë mbretëria e Tij, duke u nisur nga krijimi i mundësisë për ta ushtruar sundimin e Tij të dashurisë mbi jetën tonë. Kjo kuptohet menjëherë, kur Jezusi ua mëson dishepujve të vet “Atynën”, prej nga dalin në pah tri nevoja themelore: buka, falja e ndihma në tundime:


“Nuk mund të jetohet pa bukë, nuk mund të jetohet pa falje e nuk mund të jetohet pa ndihmën e Zotit në tundime”.

Sepse buka është e nevojshme, me masë, jo me tepri; është buka e shtegtarëve, që nuk grumbullohet e nuk shpërdorohet, që nuk na trash, duke e shpejtuar kalbëzimin tonë. Falja - vijoi Papa - është, para së gjithash  çka ne vetë e marrim nga Zoti:

“Vetëm vetëdija se jemi mëkatarë të falur nga mëshira e pambaruar hyjnore, mund të na bëjë të kryejmë gjeste konkrete pajtimi vëllazëror. Nëse njeriu nuk e ndjen veten mëkatar të falur, kurrë, kurrë nuk mund të bëjë një gjest ndjese ose pajtimi. Nis që aty, që nga zemra: zemra  e ndjen veten mëkatare të falur”.

Papa kujtoi edhe se duhet të jemi të vetëdijshëm për gjendjen tonë, si njerëz gjithnjë të rrezikuar nga kurthet e së keqes e të prishjes. Të gjithë – vërejti - e njohim mirë tundimin. E në vijim, i nxiti besimtarët t’ia kërkojnë Atit Shpirtin Shenjt:

“Na duhet, për të jetuar mirë, për të jetuar me urti e dashuri, duke bërë vullnetin e Zotit. Sa lutje e bukur do të ishte këtë javë sikur secili nga ne t’i kërkonte Atit: ‘Atë, jepma Shpirtin Shenjt! Atë, jepma Shpirtin Shenjt!’”.

E tregon Zoja e Bekuar me jetën e vet - shtoi Françesku - duke uruar që Virgjëra Mari të na ndihmojë të lutemi “për të mos jetuar sipas mendësisë së botës, por sipas Ungjillit, të prirë nga Shpirti Shenjt". E, në përfundim të lutjes mariane, Papa kujtoi se këto ditë shumë të rinj, nga të katër anët  e botës, nisen për udhë drejt Krakovit, për të marrë pjesë në Ditën e 31-të Botërore të Rinisë. Papa do të arrijë në Poloni të mërkurën e ardhshme,  për të kremtuar, me ta e për ta - nënvizoi - Jubileun e Mëshirës, me ndërmjetësimin e Shën Gjon Palit II:

“Ju kërkoj të më shoqëroni me lutje. Që tani i përshëndes dhe i falënderoj ata, që punojnë për t’i mikpritur shtegtarët e rinj, të shoqëruar nga shumë ipeshkvij, priftërinj, rregulltarë, rregulltare e laikë. Një mendim të posaçëm ua drejtoj bashkëmoshatarëve të tyre që, duke mos mundur të jenë të pranishëm, do ta ndjekin ngjarjen e madhe përmes mjeteve të komunikimit. Do të jemi të gjithë bashkë në lutje”.

Në përshëndetjen përfundimtare, një mendim për shtegtarët e mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, ardhur nga Italia e vende të tjera, posaçërisht për të rinjtë, të cilët i porositi:

“Vijoni të jetoni, jo të gjalloni, siç  e keni shkruar mbi bluzat tuaja!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.