2016-07-22 14:21:00

Shenjtorët e javës 24 - 31 korrik


E diel 24 korrik, Kisha katolike kremton të Dielën e 17-të gjatë vitit kishtar, gjithnjë me 24 korrik kalendari  përkujton edhe shën Sharbel Makluf, meshtar i Urdhrit Libanez Maronit e shën Kristinën, virgjër e martire. Liturgjia e kësaj së diele na sjell mësimin e Jezusit mbi lutjen. Edhe ne duhet t’i kërkojmë Jezusit, siç bënë apostujt, të na mësojë të lutemi. Urata është forca jonë pranë Hyjit. E dhurata më e madhe që na vjen nga lutja është Shpirti Shenjt, që vetë Ati Qiellor na derdh në zemrën tonë.

Të hënën më 25 korrik përkujtohet Shën Jakobi i Madh, apostull. Quhet i Madh për ta dalluar nga Jakobi tjetër, edhe ai apostull, që njihet si i Vogli). Jakobi qe dëshmitar i shndërrimit të Jezusit mbi Tabor dhe i agonisë në Gjetseman. Për shkak të karakterit të flaktë e ngutshëm, njësoj si i vëllai – Gjoni Apostull, Jezusi i quajti “Boanerges” – bijtë e bubullimës. Është apostulli i parë që u martirizua në Jeruzalem rreth vitit 43, me urdhër të Herod Agripës. Varri i tij, në Santiago të Kompostelës (Spanjë), është vend shtegtimi për besimtarë nga mbarë bota.

Të martën më 26 korrik përkujtohen Shën Ana e Joakini, prindërit e Marisë, Nënës së Hyjit.
Joakini e Ana nuk patën fëmijë deri në moshë të vonë. Kur u lindi vajza e shumëpritur, vendosën ta quanin Mari: “e dashura e Hyjit”. Njerëz të urtë e të devotshëm, e rritën Nënën e Krishtit me frymën e Shkrimeve të Shenjta dhe e mësuan t’i bindet vullnetit të Hyjit.

Të mërkurën më 27 korrik përkujtohet shën Ugo, shën Çelestini I, e shën Pantaleoni. Këta shenjtorë me jetën e tyre na nxisin të meditojmë se detyra kryesore e njeriut është të bëjë vullnetin e Zotit. Detyrat e kërkesat e tjera të panumërta të jetës njerëzore, që nga ato të familjes, tek detyrat e punës, janë të gjitha të dorës së dytë e të gjitha të varura pikërisht nga vullneti i Zotit.

Të enjten më 28 korrik përkujtohet shën Viktori I, papë. Ky u zgjodh në selinë e Shën Pjetrit më 189 dhe vdiq dhjetë vjet më vonë. Gjatë pesë viteve të para të papnisë së tij, perandor i Romës ishte Komodi, i cili nuk e vijoi përndjekjen e të krishterëve falë ndërmjetësimit të Marcjes, e cila kishte simpati për besmtarët në Krishtin dhe për të cilën perandori kishte dobësi. Papa Viktori mbrojti me vendosmëri fenë e pastër dhe dënoi lëvizjet e ndryshme heretike, që sulmonin doktrinën e Trinisë. Nuk ka të dhëna të sakta për vdekjen e tij, por duke qenë se gjysmën e dytë të papnimit e ushtroi nën përndjekjen e ashpër të perandorit Septimius Severius, që herët u krijua bindja se vdiq i martirizuar.

Të premten më 29 korrik përkujtohet Shën Marta. Është motra e Marisë dhe Lazrit nga Betania. Në shtëpinë e tyre mikpritëse ndalej Jezusi, kur gjendej në Jude për të predikuar. Ungjilli na e paraqet Martën si guran shtëpiake, të kujdesshme dhe të përkushtuar për të pritur si duhet bujtësin hyjnor. Marta shfaqet përsëri në Ungjillin sipas Gjonit, në ngjarjen dramatike të ringjalljes së Lazrit, ku kërkon mrekullinë e madhe, duke shpallur, me thjeshtësi e në mënyrë të mahnitshme, besimin në gjithpushtetësinë e Shpëtimtarit, në ringjalljen prej të vdekurve dhe në hyjninë e Krishtit.

Të shtunën më 30 korrik përkujtohet shën Pjetër Krizologu (Fjalarti). Më 433 u shugurua ipeshkëv i Ravenës nga Papa Siksti III. Nga 180 predikimet që janë ruajtur, del figura dhe personaliteti njerëzor e baritor i Pjetrit, kultura e tij e gjerë, karakteri i tij i ngrohtë dhe qartësia e fesë. Ravena e kohës së tij është udhëkryq i të gjitha lëvizjeve fetare e politike. Kur nga Kostandinopoja e pyetën për mendimin që kishte në lidhje me dy natyrat e Krishtit, Pjetri u përgjigj me pranimin e vendimit të Papës. Përgjigjja e tij e shkruar është e përpiktë dhe gjuha që përdor miqësore dhe e përzemërt.

Të dielën e ardhshme më 31 korrik, Kisha katolike do të kremtojë të Dielën e 18-të gjatë vitit kishtar, gjithnjë  më 31 korrik përkujtohet edhe Shën Injaci i Lojolës, meshtar. Protagonisti i madh i reformës katolike të shekullit XVI u lind në Azpeitia (zona bake e Spanjës), më 1491. Filloi karrierën kalorsiake, por përjetoi kthimin rrënjësor në fe, duke lexuar jetët e shenjtorëve, gjatë një periudhe pushimi për shërimin e një plage në gju. Rrëfeu mëkatet e tërë jetës në manastirin benediktin të Monserratit, hoqi rrobat kalorsiake dhe premtoi pastërti të përjetshme. Kaloi më se një vit në lutje në qytezën e Manrezës, ku vendosi të themelonte Shoqërinë e rregulltarëve. Në vetminë e një shpelle, filloi të shkruante një sërë meditimesh dhe normash, të cilat i përpunoi më vonë dhe i paraqiti si Ushtrimet Shpirtërore. Priftërinjtë shtegtarë, që iu bashkuan misionit të tij, u quajtën që në fillim jezuitë dhe u përhapën në mbarë botën. Më 27 shtator 1540 Papa Pali II miratoi Shoqërinë e Jezusit. Injaci vdiq më 31 korrik 1556.








All the contents on this site are copyrighted ©.