2016-07-22 15:04:00

Kushtetutë e re apostolike për motrat kundruese: të jeni dritë për njerëzimin


U bë e njohur sot Kushtetuta e re apostolike “Vultum Dei Quaerere” (Në kërkim të fytyrës së Zotit), kushtuar jetës kundruese femërore dhe nënshkruar nga Papa Françesku më 29 qershor. Promovimi i formimit të përshtatshëm; vënia e “Lectio divina” në qendër të jetës; gjetja e kritereve të veçanta për autonominë e bashkësive kundruese; mbledhja e kuvendeve në një federatë: këto janë disa nga pikat kryesore të Kushtetutës.

Papa u tërheq vëmendjen murgeshave të mos bien sidomos në tre tundime, që e minojnë nga brenda jetën kundruese: “tundimi që çon në apati, në rutinë, në demotivim dhe në plogështi paralizuese”. Që në Nxitjen Apostolike “Evangelii Gaudium”, Ati i Shenjtë shkruan se këto sjellin “psikologjinë e varrit, e cila, pak nga pak, i shndërron të krishterët në mumje muzeumi. Të zhgënjyer nga realiteti, nga Kisha apo nga vetvetja, jetojnë në tundimin e vazhdueshëm për t’u tërhequr nga një trishtim i sheqerosur, pa shpresë, që bëhet zot i zemrës si të ishte ‘eliksiri [pija magjike] më i çmuar i djallit’”.

Jeta e lutjes e jeta kundruese, i këshillon Papa murgeshat, “nuk mund të kalohet duke u mbyllur në vetvete, por duhet të hapet zemra për të përqafuar mbarë njerëzimin, veçanërisht, atë që vuan”. “Përmes lutjes, me të cilën kërkoni ndërhyrjen e Zotit, ju keni një rol themelor në jetën e Kishës – vijon Ati i Shenjtë. Luteni dhe përgjëroheni për shumë vëllezër e motra, të burgosur, emigrantë, refugjatë dhe të persekutuar, për sa e sa familje të brengosura, për njerëzit pa punë, për të varfërit, për të sëmurët, për viktimat e problemeve të ndryshme…”.

Por formimi i murgeshave të klauzurës, nënvizon më tej Papa Françesku ndër 12 temat e Kushtetutës, duhet të jetë i përshtatshëm dhe i vazhdueshëm; motrat të mos kenë vetëm vetveten si pikë referimi e autonomia e kuvendeve të tyre të mos kthehet as në pavarësi të plotë, as në izolim të plotë; mjetet e komunikimit, sidomos rrjetet shoqërore, të mos përdoren si arratisje nga jeta e përditshme. Jeta kundruese, me karakteristikat e saj si heshtja, dëgjimi, lutja, qëndrueshmëria, duhet ta sfidojë mendësinë e sotme, por duhet të krijojë edhe një dialog të frytshëm me shoqërinë bashkëkohore, thekson Ati i Shenjtë.

Kushtetuta Apostolike hyn edhe në drejtimin dhe organizimin e kuvendeve, disa prej të cilave rrezikojnë të mbyllen, për shkak të mungesës së murgeshave, sidomos në Evropë. Papa Françesku kërkon të krijohen federata ndërmjet strukturave me të njëjtën karizëm dhe “absolutisht të shmanget rekrutimi i kandidateve nga vende të tjera”, vetëm e vetëm për të siguruar mbijetesën e kuvendit. Murgeshat, këshillon Papa, duhet të flasin me ipeshkvin dhe “nëse nuk plotësohen kushtet për sigurimin e autonomisë së vërtetë të manastirit, Kongregata për Institutet e Jetës Rregulltare dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike do të vlerësojë mundësinë për formuar një komision ‘ad hoc’, të përbërë nga Ipeshkvi, kreu i Federatës (ku do të bëjë pjesë kuvendi), asistenti federal dhe nga abatesha apo eprorja e kuvendit. Në çdo rast, kjo ndërhyrje të ketë si objektiv vënien në jetë të një procesi shoqërimi për rigjallërimin e manastirit, ose për mbylljen e tij”.

Kushtetuta Apostolike “Vultum Dei Quaerere”, shtypur në 38 faqe nga Selia e Shenjtë, vë në pah 12 tema themelore për jetën rregulltare dhe mbyllet me 14 dispozita përfundimtare.

Temat kanë të bëjnë me “shoshitjen dhe rishikimin” e bazave të Rregullave të ndryshme e janë: formimi, lutja, Fjala e Zotit, eukaristia dhe pajtimi, jeta vëllazërore në bashkësi, autonomia, federatat, klauzura, puna, heshtja, mjetet e komunikimit, asketizmi. Dispozitat përfundimtare parashikojnë që Kongregata për Institutet e Jetës Rregulltare dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike, kryesuar nga imzot José Rodriguez Carballo, të shkruajë një Udhëzim të ri për këto tema. Rregullat e Instituteve, përshtatur sipas Kushtetutës Apostolike “Vultum Dei Quaerere”, t’i nënshtrohen miratimit të Vatikanit.

E bukur, pjesa që i kushtohet heshtjes në jetën kundruese, sidomos ndër murgeshat e klauzurës, në mënyrë që të kuptohet më mirë Fjala e Zotit dhe impenjimi në shoqëri e në bashkësi. “Heshtja – shkruhet në Kushtetutë, e cila jep si shembull Virgjërën Mari – është zbrazja e vetvetes për t’i bërë vend mikpritjes [për Hyjin]; në pështjellim të brendshëm nuk pritet asgjë e askush. Jeta juaj, krejtësisht kundruese, kërkon kohë e aftësi për të arritur heshtjen, që të dëgjohet Zoti dhe britma e njerëzimit. Të heshtë, pra, gjuha e mishit [korpit] dhe të flasë ajo e Shpirtit, frymëzuar nga dashuria, që ka secila prej jush për Hyjin”.








All the contents on this site are copyrighted ©.