2016-07-22 11:55:00

Festa e parë, për Marinë Magdalenë


Kremtimi i Shën Marisë Magdalenë, sot, më 22 korrik 2016, për herë të parë lartohet, në Kalendarin Romak, në gradën e festës. Me dëshirën e shprehur nga vetë Papa, Kongregata për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve, tashmë e ka botuar dekretin përkatës.

“Apostolorum Apostola”, siç e quante Shën Toma i Akuinit, Maria Magdalenë e pa e para Krishtin e ngjallur. Ishte e para, që ua dha këtë dëshmi edhe Apostujve. Kremtimi i kësaj Shenjtoreje, deri tani përkujtim liturgjik, u lartua në Kalendarin e përgjithshëm Romak, në gradën e Festës. Njoftimi u dha përmes dekretit, datuar 3 qershor 2016, në solemnitetin e Zemrës së Krishtit, nënshkruar nga kardinali Robert Sarah, prefekt i Kongregatës për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve. E u komentua kështu: “Vendimi merret në kontekstin aktual kishtar, që kërkon të reflektohet thellësisht për temën e dinjitetit të gruas, ungjillëzimin e ri dhe madhështinë e misterit të Mëshirës Hyjnore”.

Maria Magdalena, dëshmitare e parë e Mëshirës Hyjnore

Sipas traditës së Kishave të Lindjes, Maria nga Magdala ishte e motra e Lazrit dhe e Martës. Ajo ia pati lyer me parfum këmbët Jezusit në shtëpinë e Simeonit, farizeut. Ajo, që bënte pjesë në grupin e dishepujve të Zotit e ndoqi deri te këmbët e kryqit e, në Kopshtin e Ullinjve, ku  ndodhej varri, e pa e para të ngjallur. Asaj iu duk Jezusi. Ajo e dëgjoi e para zërin e të Ngjallurit, që e thirri: “Mari” duke e bërë dëshmitare të parë të Mëshirës Hyjnore. Ajo e pa a para varrin e zbrazët, e e para dëgjoi të padëgjuarën; të vërtetën e Ngjalljes së Zotit. Në kundërshtim me Evën, gruan e dëbuar nga  kopshti  i  Parajsës,  ajo u bë gruaja e pranuar në kopshtin e Ngjalljes. Eva u bë kumtare e vdekjes, Maria, e ringjalljes!

Prej këndej Forumi Ndërkombëtar i Veprimit Katolik (Fiac) dhe Bashkimi botëror i organizatave femërore katolike (Umofc) e mirëpresin dhe e përshëndesin vendimin e Papës për ta lartuar në festë, kujtimin liturgjik të Shën Marisë Magdalenë. E në ditën kur Kisha e kremton për herë të parë  festën e Apostulles së Apostujve, i ftuan gratë katolike të mbarë botës të marrin pjesë në Meshë, duke i kujtuar e duke u lutur për të gjitha gratë, që  e besojnë, e duan, e kumtojnë Jezu Krishtin. Gra të cilat, si Maria, e dëgjuan Zotin duke i thirrur me emër.  E që jetojnë me Të në paqe.








All the contents on this site are copyrighted ©.