2016-07-22 18:07:00

Di Segni (Ucei) për Papën: vlerësoj heshtjen tuaj në Aushvic


Me një letër për Papën, kryetarja e Bashkimit të Komuniteteve Hebraike Italiane (Ucei), Noemi Di Segni, shprehu sot vlerësimin e saj për heshtjen, që do të mbajë Ati i Shenjtë gjatë vizitës në Aushvic, duke ndjekur kështu kryerabinin e Polonisë, i cili pati fjalë falenderimi për Françeskun, sapo u bë i njohur programi i vizitës së Atit të Shenjtë. “Heshtje që buçet si bubullimë”, thekson zonja Di Segni.

“E vlerësoj shumë vendimin tuaj për të mos mbajtur një fjalim formal, por për ta përqendruar emocionin e kësaj vizite, kaq domethënëse, tek vendi e tek heshtja e thellë. Një formë lutjeje që bubullin e që do t’u bëjë jehonë, jam e sigurtë, britmave dhe dhimbjes së shumë fëmijëve, nënave, të rinjve, burrave, që nuk u kthyen nga ajo tokë. Lutja juaj, së bashku me lutjet tona të shumta, e kthen atë truall vuajtjesh në vend kulti”.

Kryetarja e Bashkimit të hebrenjve italianë nënvizon se vizita e Papës vë në dukje sërish vlerat e respektit për tjetrin e për jetën, që sot vihen në diskutim nga armiq të tjerë të fitoreve të jashtëzakonshme evropiane dhe botërore në fushën e të drejtave. Zonja Di Segni bën thirrje për të mos e harruar leksionin dramatik të Shoah-ut e u kërkon feve e liderëve fetarë të jenë shembull e të bashkëpunojnë ndërmjet tyre. “Vetëm kështu – përfundon letra – tokat e mallkuara të shfarosjes dhe të urrejtjes mund të mbruhen me shenjtërinë e të gjithë martirëve, që në emër të dashurisë e të tolerancës, flijuan jetën aty”.








All the contents on this site are copyrighted ©.