2016-07-22 17:57:00

Avvenire. “Shkodër, shkrehje aparati, që lënë pas kujtimin e qindra fytyrave”.


Shfletojmë gazetën italiane “Avvenire” dhe lexojmë një titull që na tërheq menjëherë vëmendjen: “Shkodër, shkrehje aparati fotografik, që lënë pas kujtimin e qindra fytyrave”. Autore e shkrimit, Emanuela Zuccalà.

Takimi i tyre zyrtar - janë fjalët e para të artikullit - është ai i katër vjetëve më parë… në një ndërtesë plot lagështirë, ndërmjet kishës ortodokse e xhamisë Abu Beqir. Dëbora e shkrirë pikon nga çatia, duke e trazuar poezinë e çastit, që do të shënonte fatin e të dy protagonistëve të kësaj sage italo-shqiptare. E ndoshta, pas pak kohe, edhe fatin kulturor të vendit, ku është vendosur. Jemi në Shkodër. Në Veriun e Shqipërisë, në kreshtën  e Shqipërisë më tradicionaliste - me sy gjithnjë të ngulur mbi Evropën.

Në Shkodër, qytet me rreth njëqind mijë banorë, që javët e kaluara përuroi një muze fotografish, të lidhur prej kohe me galeritë më të famshme botërore të këtij sektori, nga Foam i Amstedamit, tek Icp i New York-ut.

Personazhi i parë i kësaj historie

Personazhi i parë i kësaj historie është Pietro Marubi, një i ri nga Piaçenza e Italisë, simpatizant i Garibaldit. Ikën nga Italia në pështjellim të plotë,  në gjysmën e tetëqindës e, pas një  aventure të rrezikshme në dallgët e Adriatikut, zbret në Shkodrën, e cila vijon të jetë enklavë venedikase, brenda perandorisë otomane.

Në një atmosferë intelektuale, dinamike e tolerante, në vitin 1856, mërgimtari 22 vjeçar italian hap një studio fotografike, vetëm 17 vjet pas shpikjes së dagherrotipit. Është i pari në Ballkan. Djaloshit venedikas i pëlqen Shkodra aq, sa bëhet shumë shpejt shkodran, lëshon rrënjë, ndërron emër, bëhet Pjetër e nis të merret edhe me projektet arkitektonike të konsullatës italiane si dhe të katedrales së Shën Shtjefnit. Merret me shumë punë, si artist i vërtetë, plot etje për të bukurën, e jo thjesht fotograf. Realizon edhe portrete për privatë, duke fiksuar në film, gjithë historinë e Shkodrës e të banorëve të saj, qytetas e malësorë.

Aty janë gjysh stërgjyshat

Falë tij, breznitë e sotme mund të njohin gjysha e stërgjysha, me brandavekë e fes tanuz, apo me tirq e kobure në brez, që dalin nga fotot e Marubit, si të dilnin nga kohët që s’ kthehen kurrë më. Gjithë këto fytyra të çuditshme, shpesh personalitete të Qytetit të Veriut, a të malësive të tij, fillojnë të na flasin për ngjarje edhe më të çuditshme. Prej këndej, fotografi i parë nisi të dërgojë reportazhe për revista të ndryshme, si L’Illustrazione italiana”, duke e bërë Shkodrën, qytetin tejet të famshëm në lashtësi, të humbur në mjegullnajën e mesjetës së pushtimit, përsëri të njohur në mbarë botën, si qytet i mendimit, i mjeshtrive, i kulturës, i artit.

Pjetër Marubi, pakëz jetëshkrim

Pjetër Marubi, veneto-shkodran (1834-1903), në punishten e tij modeste pranë Milet Bahçes, i hapi rrugën tri breznive fotografësh. Pasardhës, që vijuan ta shkrehin aparatin, për të fiksuar vijimin e jetës së Qytetit të Veriut, deri në shembjen e komunizmit, kur i dorëzuan historisë  dokumentacionin më të pasur ikonografik të kësaj toke, udhëkryq ndërmjet Lindjes e Perëndimit.

Dinasti fotografësh

Krijoi një dinasti të vërtetë fotografësh, Pjetri. Pas vdekjes se mjeshtrit  (1903) Kel Marubi, biri i tij në shpirt, u bë trashëgimtar legjitim i studios, të cilën e shndërroi në një atelie të vërtetë arti. Që në rininë e tij, njëherësh me veprimtarinë si fotograf, nisi edhe veprimtarinë patriotike. Keli, që artin e mësuar në studion shkodrane e përsosi në Trieshtë, në studion Sebastianutti, nisi të fiksojë portete qytetarësh dhe kompozime familjare. Ai e pasuroi fototekën me figurat e njohura të kohës. Fotografoi Fishtën, Migjenin, Koliqin, familjen Galica, Dedë Gjo Lulin, Bajram Currin, Asdrenin, Lasgushin, Nolin, Zogun, Tefta Tashkon.... por edhe njerëz të zakonshëm me kostume kombëtare. Erdhi pastaj Gega, i fundmi Marub, që u përgatit në punishten e krijuar nga vëllezërit Lumierë, në Paris, pionier, në Shqipëri, i teknikës, me rreze infra të kuqe.

E pikërisht në  kohët e fotografive të Pjetrit, në Shkodër shkëlqen edhe një figurë tjetër madhore, Kolë Idromeno, që mund të quhet Leonardo i Qytetit të Veriut, për një mori talentesh, me të cilat e kishte pajisur Zoti. Ndërmjet tyre, talenti i fotografit. 

Më pas, nisi të dëgjohet emri i një fotografi tjetër. Quhej Shan Pici e fiksoi, ndërmjet dy luftërave botërore, malet, që i rrinë kurorë Shkodrës, tre lumenjtë, që ia lagin brigjet: Kirin, Drinin e Bunën, e edhe liqenin e mrekullueshëm. Gjuha e tij fotografike i ngjet çuditërisht asaj të fotografit të madh brazilian Sebastiao Saldago (Aimorés, 8 shkurt 1944), që që sot jeton në Paris e konsiderohet fotografi më i madh në nivel botëror.

Personazhi i parë i kësaj historie, Luçjan Bedeni

Personazhi më i ri i kësaj historie, është Luçjan Bedeni, i lindur në “Firencën e Ballkanit” në një familje të njohur për talente. Bijtë e saj do t’i kishin dhuruar shumë Shkodrës, po të mos detyroheshin të iknin nga sytë këmbët prej Atdheut, që i përbuzi e i tmerroi. Për fat të keq, kishin lindur në një epokë krejt tjetër, edhe më të keqe se ajo e pushtimit otoman. Po njëri djalë i Bedenëve, pas çmimeve ndërkombëtare për veprat e tij në pikturë e fotografi, e pas nguljes në SHBA, vendosi të rikthehet në Shkodër, duke shkuar krejt kundër rrymës. U kthye, pra, në Shkodër nga SHBA- të, në sa shkodranët jo vetëm që e ëndërrojnë Botën e re, por edhe nisen drejt saj, duke krijuar një diasporë kronike. 

Filloi, së pari, të japë mësimin e artit në shkollën e jezuitëve,  për të ndezur një fanar ndërkombëtar mbi qytetin, i cili e donte aq shumë dritën, ndërsa zhytej në terrin simbolik e real të pështjellimit, që sundonte mbi të në vitet nëntëdhjetë, kur hemorragjia e mërgimit nisi t’ia ndërrojë fytyrën qytetit, që u bëri ballë shekujve.

Një fanar

Të ndizte një fanar, kjo ishte  ëndrra e tij. Dhe arriti ta ndezë më 2012, kur Ministria e Kulturës ia besoi drejtimin e fototekës Marubi, që iu mor me forcë familjes, në vitin 1970, nga regjimi i Enver Hoxhës. Madje diktatori  pati paturpësinë ta quante falje bujare, këtë pasuri të pallogaritshme e të papërsëritshme. Nuk ishte hera e parë e as e fundit, që e bënte këtë gjest prej cubi! Krijohej, kështu rreziku që e gjithë historia e vendit, fiksuar në fotografi, të bëhej hi e pluhur, si shumë pasuri të tjera materiale e shpirtërore të Qytetit të Veriut, i cili shquhej tepër për shpirtin kryengritës dhe etjen për liri. E natyrisht, si qytet arti, që ishte, nuk mund të krijonte nën robni!

Si ishte fototeka

Tregon drejtori i ri, i apasionuar, i kësaj mrekullie, që është fototeka Marubi, ku vijojnë të jetojnë, në foto, gjysh-stërgjyshërit  e shkodranëve:

“Ditën e parë të punës, m’u desht me vu dorcat, për t’i pështue materialet prej lagështine, e mandej, deshta s’deshta, pastrova edhe bajen”. Këtë na tregon  Luçjani, duke na pritur në muzeun e ri, të cilit ia doli mbanë t’i japë formë në rrugën Kolë Idromeno, në qendrën pedonale të qytetit. Aty ku jo shumë kohë më parë ishte Banka e Shtetit Shqiptar, prej nga u vodh thesari i qytetit. Thesar, që u zëvendësua me një tjetër, tani thesar i Kombit. E krenari e Shkodrës, të cilit i duket se në atë vend jetojnë gjithë epokat e jetës së tij të lumnueshme.

Nga kati, në kat

Dy kate me stampa bardh e zi, me portretet e pejzazhet e Qytetit të Veriut në rrjedhë të 131 vjetëve; duke nisur nga fotografia e parë e Pjetër Marubit,  portreti i luftëtarit anti-otoman Hamzë Kazazit, e  deri në 1989, me fotot e Hilmi Mustafës, i fundmi i shkollës të mjeshtrit piaçentin. Pa harruar edhe një grua, që punoi përkrah Gegë Marubit: Gjinën Perdoda, gjithnjë buzagaze.

Një arkiv i paçmuar

Arkiv i pazëvendësueshëm, i lënë në mëshirën e fatit për më se 40 vjet – nënvizon Bedeni. - Një gjysëm milioni negativa në xham e në filma të lashtë origjinalë, ditaret e artistëve, korrispondeca e tyre dhe rreth 300 makina fotografike, që përfaqësojnë të gjitha fazat teknike të këtij arti.

Shkodra, kryeqytet ballkanik i fotografisë

Shkodra, kryeqytet ballkanik i fotografisë, duhej ta kishte muzeun e saj.  Në katin përdhes, ekspozita përuruese i kushtohet grave, përjetësuar prej kësaj dinastie krejtësisht mashkullore: nga fotot na shikojnë fytyra  malcoresh, me krela të zez, me xhubleta e me të gjitha stolitë, që mund të dëshirojë një grua. E po aq mahnitëse janë zonjat borgjeze, me jelekë e barnavekë e me mahramën fluturake, që ua mbulon vetëm njërin sy… e sidomos, Zojat e mëdha të qytetit, disa prej të cilave njihen edhe me emër, si Shaqe Çoba, intelektualja e parë e Shkodrës në fillim të nëntëqindes; Shote Galica, heroina e kryengritjes  kundër serbëve e deri tek shkrimtarja angleze Edith Durham, krajlica e maleve, për të cilën Shqipëria e veriut qe burim frymëzimi e veprash, të cilat vijojnë të jetojnë edhe sot, ashtu si fotografia e saj, që i qesh miqësisht vizitorëve të kësaj mrekullie të re, në zemër të Shkodrës.

Kati i parë

Kaq për katin përdhes. Ndërsa në katin e parë ekspozohen 12 fotografi të Studios Marubi, realizuar me materialin e epokës dhe rikrijimi i një sfondi, pikturuar nga Pjetri për t’i vënë në pozë klientët e tij. Ndërsa tre kënde video shfaqin filma dokumetarë, kushtuar Shkodrës që ishte, por nuk është më.

Guxim rishtari

Me guximin e rishtarit, Luçjan Bedeni trokiti në portat e ambasadave, të Fondit të zhvillimit amerikano-shqiptar, të tregjeve svicerane e gjermane,  duke mbledhur në një kohë rekord 1 milion e 200 mijë euro, për ta hapur muzeun. E, falë agjencisë së OKB-së Undp si dhe rajonit Friuli-Venezia Giulia, vijon dixhitalizimi i gjithë arkivit, që do të krijojë një galeri virtuale në internet, për ta çuar Shkodrën në të katër anët e botës.

Trashëgimi, që nuk i përket vetëm Shkodrës

Kjo pasuri nuk i përket vetëm Shkodrës, e as vetëm Shqipërisë. I përket mbarë Evropës, mendon me të drejtë drejtori i ri, e thotë: “Historia jonë lidhet ngushtë me Evropën, me krishterimin, e unë shpresoj që në muzeun e ri të hyjnë sa më shumë banorë të Shkodrës, të cilëve as nëpër mend nuk u shkonte se ishin kaq të pasur! Sepse atyre u përket kjo galeri! Të gjithëve. Natyrisht. Kanë gjysh-stërgjysh këtu brenda”.

Ardhmëria

Në të ardhmen, përveç shkëmbimeve me Foam të Amsterdamit, me Icp të New Yorkut e Jeu de Paume të Parisit, Bedeni projekton ta bëjë galerinë e tij vatër eksperimentimi të artit bashkëkohor, i bindur se muzeu mund t’ia ndërrojë faqen e rrudhur Qytetit të Veriut, plakur e rinuar njëmijë herë, në brigjet e ujërave të veta.

Ëndërr artisti

Ëndrra ime - thotë - është ta shndërroj një kapanon industrial periferie, në  pol të ngjashëm me Moma Ps1 të Queens, në New York, ku të kultivohen talentet e reja. Në fund të këtij viti ndërkaq, “fëmija i mrekullueshëm ballkanik”, do të botojë edhe një libër, titulluar Pjetër Marubi, ku do të përshkruajë jetëshkrimin e njeriut e të artistit, deri më sot pikturuar me dy vija, bardh e zi. “Dëshiroj ta paraqes edhe në Piaçencë, ku besoj se pak e kush e di se ka pasur ndonjëherë një bashkëqytetar, autor i një kapitulli themelor në historinë e fotografisë”.

Sa ëndrra ka ky djalë shkodran. Në ëndrrat e tij janë ëndrrat e dinastisë së fotografëve, që deshën ta çonin Shkodrën në botën e madhe. Po Luçjani shkon edhe më tej: dëshiron ta sjellë botën e madhe në Shkodër.

Shfletuam gazetën “Avvenire” ku papritë gjetëm Fototekën Marubi

Shfletuam gazetën italiane “Avvenire” dhe lexuam një shkrim që na tërhoqi menjëherë vëmendjen: “Shkodër, shkrehje aparati fotografik, që lënë pas kujtimin e qindra fytyrave”. Shkodër, kryeqytet ballkanik i fotografisë….








All the contents on this site are copyrighted ©.