2016-07-21 12:54:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: Semi e Jafeti


Hyjmë sot, edhe më thellë, në interpretimin e veprës së mëshirës “vishni të zhveshurit”. Tradita rabinike i jep rëndësi të madhe jo vetëm veshjes në vetvete, por edhe mënyrës se si njeriu kujdeset për t’ia dhënë atë të zhveshurit, me delikatesë e pa e fyer, duke ia ruajtur nderin. Këtë vë në dukje episodi i sotëm biblik, i komentuar sipas hebrenjve.

Noehi doli nga arka së bashku me të bijtë dhe ndërtoi një elter e ofroi fli në nder të Zotit, plot mirënjohje për fundin e përmbytjes universale. Bereshit Rabbà - libër hebre ku interpretohet me fjalë të thjeshta Zanafilla - komenton se Zotit i mbërriti era e mrekullueshme e flisë dhe tha në zemër të vet: “Unë nuk do ta mallkoj kurrë më tokën për shkak të njeriut, sepse prirja e zemrës së tij është drejt ligësisë që nga adoleshenca; e nuk do t’i bie më çdo qenieje të gjallë siç kam bërë më parë” (Bereshit 8/21). Noehi filloi atëherë të kultivojë tokën: mbolli hardhi e bëri një vreshtë. Kur u poq rrushi, bëri verë dhe pa i ditur pasojat e saj, piu aq shumë sa u deh dhe u shtri lakuriq në mes të tendës së vet. Biri i tij i vogël, Kami, hyri në tendë, e pa të atin lakuriq dhe shkoi vrap jashtë t’u tregonte të vëllezërve. Atëherë Semi dhe Jafeti morën një mantel, e vunë mbi shpatullat e tyre e duke ecur mbrapsht hynë në tendë dhe e mbuluan të atin. Pra, nuk deshën ta shihnin lakuriq.

Sipas Torah, mënyra më e drejtë për t’u sjellë me të tjerët është kujdesi për nderin e tyre, ashtu siç bënë Semi dhe Jafeti. Kur Noehit i doli pija, mori vesh ç’kishte bërë djali i vogël. Torah tregon se Noehi e mallkoi të nipin Kanaanin, në vend të të birit, të cilin nuk mund ta mallkonte, sepse e kishte bekuar Zoti. Kjo, pasi i biri nuk e kishte respektuar. Kur e pa të atin lakuriq, mendimi i tij i parë ishte të tallej, të shkonte e t’jua tregonte të tjerëve e jo ta mbulonte Noehin. Kjo sjellje e kompromentoi jo vetëm të ardhmen e tij, por edhe atë të pasardhësve. Ai veproi pa mëshirë, sepse mëshira është dashuri dhe fal çdo gjë, mbulon e nuk tregon. Ndërsa vëllezërit u sollën me respekt e kujdes për të atin, duke mos ia lejuar vetes as ta shihnin lakuriqësinë e tij, aq sa Noehu i bekoi. Semi dhe Jafeti treguan kështu një virtyt të madh, që është ai i mbulimit të difekteve të të afërmit, ashtu siç bën njeriu për të vetat. Kështu edhe ne: t’i veshim të zhveshurit, pa e parë lakuriqësinë e tyre, por duke i konsideruar njerëz me dinjitet të pacënueshëm.








All the contents on this site are copyrighted ©.