2016-07-21 16:47:00

Sporti dhe feja: konferenca e parë botërore në Vatikan, në tetor


Do të mbahet në Vatikan, nga 5 deri më 7 tetor, konferenca e parë e madhe për marrëdhëniet ndërmjet sportit dhe fesë. Me titull “Sporti në shërbim të njerëzimit”, takimi ka tërhequr vëmendjen edhe të Kombeve të Bashkuara dhe të Komitetit Ndërkombëtar Olimpik, të cilët do të marrin pjesë në nivelin më të lartë, me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Moon, dhe me presidentin e Komitetit, Thomas Bach. Në ditën e përurimit ka mundësi të marrë pjesë edhe Papa Françesku.

Konferenca organizohet nga Këshilli Papnor i Kulturës dhe nga grupi botëror i sigurimeve shoqërore Allianz. Takimi do të mbahet pas përfundimit të Lojrave Olimpike të Rio-de-Zhanejros, të cilat do të fillojnë më 5 e do të mbyllen më 21 gusht. Por që tani, këto lojra paraqiten problematike, si për krizën ekonomike dhe institucionale, që po kalon Brazili, ashtu edhe për problemet e dopingut shtetëror për të cilin u akuzua Rusia e u përjashtuan një sërë atletësh rusë.

Fjalët e Papës Françesku

Në maj 2005, Papa Françesku priti në Sallën Pali VI, në Vatikan, Federatën Italiane të Tenisit. Në atë rast, pohoi se “Kisha interesohet për sportin, sepse e ka për zemër njeriun, në tërësinë e tij dhe e pranon se veprimtaritë sportive ndikojnë në formimin e personit, në marrëdhëniet dhe përshpirtërinë e tij”. Duke u kujtuar atletëve se sidomos të rinjtë i marrin për model, theksoi se “presionet për rezultate të rëndësishme nuk duhet t’ju nxisin kurrë të përshkoni rrugë në dukje të lehta, si ajo e dopingut. Sa e shëmtuar dhe e shterptë është fitorja, që arrihet duke mos respektuar rregullat e duke mashtruar të tjerët”. E pastaj pati shtuar: “Vëreni në lojë jetën për të tjerët e për Zotin, duke u impenjuar për çfarë vlen vërtet dhe rron përgjithmonë”.

Marrin pjesë 150 personalitete

Në kuvendin, që do të mbahet në Vatikan, parashikohet të marrin pjesë rreth 150 personalitete të sportit, të fesë, të botës industriale dhe të shoqërisë civile. Tematikat e takimit përcaktohen me tri fjalë angleze, që fillojnë të gjitha me “in”. Tre “in”-et e mëdha të konferencës janë: inclusion (përfshirje), involvement (impenjim), inspiration (frymëzim). Vërtet, do të diskutohet si sporti dhe feja, së bashku, mund të kontribuojnë për të krijuar shoqëri më të integruara (inclusion); për të sensibilizuar njerëzit të impenjohen në bashkësinë  e tyre (involvement); për të pasur jetë më të shëndetshme, më të gjithanshme e më të plotë (inspiration), në mënyrë që të përballohen si duhet sfidat e njerëzimit.








All the contents on this site are copyrighted ©.