2016-07-21 16:50:00

DBR: mëse një milion e gjysëm, të rinjtë që priten në Krakov


Mesha në shenjtëroren e Zojës së Zeshkët në Jasna Gora, vizita në kampet naziste të përqendrimit në Aushvic dhe Birkenau, kalimi i Portës Shenjte në shenjtëroren e Mëshirës Hyjnore në Krakov: këto, etapat kryesore të udhëtimit apostolik të Papës Françesku në Poloni, nga 27 deri më 31 korrik, me rastin e Ditës së 31-të Botërore të Rinisë. Veçantitë e shtegtimit u shpjeguan dje nga drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, i cili theksoi se qëllimi i vizitës nuk është vetëm pjesëmarrja në Ditën Botërore të Rinisë, por edhe takimi me popullin, në udhëtimin e parë në Poloni të Atit të Shenjtë:

         “Ky udhëtim është edhe shtegtim në Krakov e në Poloni, prandaj do të ketë ngjarje dhe rrethana, që nuk lidhen drejtpërdrejt me DBR-në, por me vendin... Papa do të vizitojë edhe vise të tjera, përveç Krakovit, në veçanti, Çestokovën dhe Aushvicin”.

         Është udhëtimi i 15-të i Papës Françesku dhe vendi i 23-të që viziton Ati i Shenjtë. Për Poloninë, është hera e dytë që pret të rinjtë nga mbarë bota, për Ditën e tyre Botërore. Në vitin 1991, ky Takim u mbajt në Çestokovë. Tema e sivjetme, në kuadrin e Jubileut të Mëshirës, s’mund të mos ishte: “Lum të mëshirshmit, sepse do të gjejnë mëshirë”. Në Krakov, Papa do ta prekë me dorë kultin e Mëshirës Hyjnore. Gjatë konferencës së shtypit, atë Lombardi u ndal veçanërisht në marrëdhëniet e ngushta, të cilat e lidhnin shën Gjon Palin II me vendet, që do të vizitojë Françesku, si katedralja e Krakovit e shenjtërorja e Çestokovës, mbushur me ngjarje historike e me simbole për kombin, si fugurja e Zojës së Zeshkët. E pastaj, më 29 korrik, vizita në Aushvic e Birkenau. Të dëgjojmë atë Lombardin:

         “Kujtojmë se, natyrisht, edhe dy Papë të tjerë kanë qenë në këto vende. Gjon Pali II, në vitin 1979, gjatë udhëtimit të parë në Poloni, kremtoi një meshë pranë Aushvicit e tha homelinë. Pastaj, Benedikti XVI, më 28 maj 2006, vizitoi si kampin Aushvic 1, ashtu edhe Birkenaun (Aushvic 2) e mbajti një fjalim të rëndësishëm, jo liturgjik. Tjetër formë kjo. Ndërsa Papa Françesku, siç na ka shpjeguar, nuk do të thotë asnjë fjalë: do të qëndrojë në heshtjen e dhimbjes, të dhembshurisë e të lotëve”.

         Një qëndrim ky, shumë i vlerësuar nga Kryerabini i Polonisë. Etapa tjetër e Papës, të nesërmen, më 30 korrik, do të jetë kuvendi i Krakovit, ku jetoi e u varros shën Faustina Kovalska, nga e cila kemi dhuratën e devocionit të Mëshirës Hyjnore. Më pas, Ati i Shenjtë do të shkojë në shenjtëroren kushtuar shën Gjon Palit II, ku, në perëndim të diellit, nga Campus Misericordiae aty afër, do të mbahet Mbrëmja e lutjes me të rinjtë. Të dielën paradite, çast kulmor i DBR-së dhe mbyllja e saj, mesha e kremtuar nga Papa.

         Përsa i përket temës së sigurisë, atë Lombardi u tha gazetarëve se nuk ka probleme të veçanta dhe atmosfera është e qetë e normale. Priten 1 milion e gjysëm të rinj e janë regjistruar 800 ipeshkvij, siç njoftoi zëdhënësi i Konferencës Ipeshkvnore Polake, imzot Pawel Rytel-Andrianik:

         “Siç e dimë, zakonisht, vijnë më tepër se ata, që janë regjistruar. Kur i mbyllëm regjistrimet ishim 335.437 vetë. Të regjistruarit e parë nga Spanja, pastaj të tjerët… Por ne, si organizim, presim që Ati i Shenjtë të takojë në Campus Misericordiae rreth 1 milion e gjysëm o 1 milion e 800 mijë të rinj. Pastaj, në Çestokovë mund të kemi nga 300 deri në 500 mijë vetë, shumica polakë, që kremtojnë 1050-vjetorin e pagëzimit të Polonisë në krishterim. Këto janë shifrat. Përsa u përket vendeve të prejardhjes, shumica e të rinjve janë nga Polonia, pastaj Italia, Franca, Spanja, SHBA-të, Gjermania, Brazili, Ukraina dhe Portugalia”.








All the contents on this site are copyrighted ©.