2016-07-20 13:59:00

Ecja Neokatekumenale: ndërroi jetë Carmen Hernandez


Ndërroi jetë dje pasdite, në moshën 85 vjeçare, në Madrid, Carmen Hernandez, e cila, së bashku me Kiko Argüello-n, filloi Ecjen Neokatekumenale në Spanjë, në vitet ’60. Ishte përgjegjëse e kësaj Ecjeje në nivel ndërkombëtar, së bashku me Kikon dhe atë Mario Pezzi-n. E kujtojnë rreth 30 mijë bashkësi neokatekumenale në 120 vende të botës. Në një letër për të lajmëruar vdekjen e saj, Kiko Argüello shkruan se për të, Carmen ka qenë “një dhuratë e mrekullueshme” e kujton “gruan, gjeninë e saj, karizmën, dashurinë e madhe për Papën e sidomos, dashurinë e saj për Kishën”. Funerali do të kremtohet nesër, më 21 korrik, në orën 18.00, në katedralen e Almudenës në Madrid, nga kryeipeshkvi i kryeqytetit spanjoll, imzot Carlos Osoro Sierra. Do të jenë të pranishëm shumë ipeshkvij e kardinaj, pranë realitetit neokatekumenal, si edhe besimtarë nga e gjithë bota.

Jeta e dëshmia e Carmen Hernandez

Maria del Carmen Hernandez Barrera u lind në Olvega të Navarrës, në Spanjë, më 24 nëntor 1930. E kaloi fëmijërinë me familjen në Tudela. I ati, Antonio Hernandez, ka qenë themeluesi i shoqërisë Herba, njëra nga industritë e orizit, më të rëndësishme në Spanjë.

Vula misionare marrë nga jezuitët

Carmen frekuentoi shkollën e jezuitëve në Xavier, duke marrë prej tyre atë vule misionare, që ia karakterizoi gjithë jetën. Për t’iu bindur të atit, filloi studimet  në Universitetin e Madridit, në degën e kimisë e, pas diplomimit universitar, punoi për disa kohë në ndërmarrjen e familjes. Por e la shpejt për të ndjekur thirrjen e saj misionare.

Përvoja në një Institut femëror

Hyri në një institut femëror, që ishte themeluar në atë kohë: “Misionaret e Jezu Krishtit”. Për të përgatitur misionin e saj në Indi, shkoi në Angli për të mësuar gjuhën. Ishin vitet ’60 e, me nisjen e Koncilit II të Vatikanit, edhe instituti i saj hyri në krizë, duke u dyzuar: nga njëra anë, ato që donin t’i qëndronin besnike idesë fillestare të misionit e, nga ana tjetër, ato që dëshironin të orientoheshin drejt një jete rregulltare më “normale”.

Studimi i liturgjisë dhe qëndrimi në Tokën Shenjte

Takimi me disa studiues të liturgjisë (imzot Pedro Farnes Sherer, profesor i Institutit Liturgjik të Parisit, Dom Botte, L. Bouyer, etj.), të cilët po vinin në zbatim risitë konciliare, duke rizbuluar Eukaristinë, centralitetin e Pashkëve, rëndësinë e katekizmit, nevojën e formimit të krishterë në famulli, e orientuan Carmen-in drejt botës hebraike dhe drejt Fjalës së Zotit. Kaloi dy vjet në Izrael, duke vizituar të gjitha vendet e shenjta, me Shkrimin Shenjt në dorë, në meditim e lutje.

Takimi me Kikon

Me këtë bagazh të madh e të pasur, u kthye në Madrid në kërkim të të rinjve, që dëshironin të bashkoheshin me të për një plan ungjillëzimi, që kishte ndërmend të zbatonte në Bolivi, pasi kishte njohur një ipeshkv, që ishte i gatshëm ta pranonte këtë nismë. Nuk deshi të kthehej në familje, prandaj shkoi të banonte ndër barrakat e Palomeras Altas, në periferi të Madridit. Këtu u takua me Kiko Argüello-n, djalosh nga familje e mirë, edhe ai, në kërkim të një jete të krishterë më autentike. Nuk kishte ndërmend ndonjë punë të ngjashme me asistencën sociale, por, duke u frymëzuar nga Charles de Foucauld, mendonte të qëndronte si i varfër ndër të varfërit, i sigurt për fjalën e shën Gjonit XXIII se shpëtimi i Kishës do të vijë përmes tyre.

Bashkësia e krishterë ndër të varfërit e Palomeras

E pikërisht në Palomeras, në mesin e të varfërve, të ciganëve, të ish-prostitutave e të të gjymtuarve, po formohej dalëngadalë një bashkësi e krishterë, kaq e fortë, kaq e thjeshtë dhe e sinqertë, kaq e varfër dhe ungjillore, sa Carmen mbeti e mahnitur, kur e njohu. Ungjillëzimi nuk ishte më teori teologjike apo plan baritor, ishte bashkësi e krishterë. Në dialogun me ata njerëz, pak nga pak, Carmen bën një sintezë të re teologjiko-katekistike, e cila prek jetën e njerëzve dhe shndërrohet në risi: lind kështu, lutja e sinqertë, bashkimi ndërmjet njerëzve në dukje “të paaftë” për këtë, që ua hapin zemrat ungjillëzimit.

Lindja e katekumenatit pas pagëzimit

Carmen apasionohet. Nga periferia e Madridit, fillon kumtimi në famulli… nga Spanja kalohet në Itali. E gjithë veprimtaria fillon e organizohet si një katekumenat i vërtetë pas pagëzimit. Katekizmit të Kikos, i cili flet me forcë, këndon, shqyrton Shkrimin Shenjt e formon bashkësi, Carmeni i ofron një bazë të qëndrueshme teologjike dhe liturgjike, dashurinë për Kishën dhe për Papën në veçanti, vërtet për t’u admiruar, në një kohë kritike, kundër institucioneve.

Gjithnjë në mbrojtje të grave

Carmen ndiqte gjithnjë kushtet e grave, i mbronte me origjinalitet dhe thellësi. Të mirënjohura, ndërhyrjet e saj në Ditët Botërore të Rinisë në favor të gruas, kundër sulmeve të djallit ndaj gruas që nga Zanafilla deri në Librin e Zbulesës, pikërisht sepse ajo mban fabrikën e jetës në shtat. Katekizmi i saj, i thjeshtë, por edhe i thellë, e shkëput njeriun nga kufizimet e jetës së tij të ndenjur, duke e hedhur në mesin e ritmit e të lëvizjes, që qëndrojnë në bazën e vizionit të saj të Pashkëve, të krijimit e të shëlbimit.

Roli i saj në hartimin e Statutit

Ecja Neokatekumenale nuk do të ishte kjo që njohim sot, pa praninë e inteligjencës dhe të krijimtarisë së Carmen-it. Mori pjesë në hartimin e Statutit të Ecjes, duke dhënë një kontribut themelor, sidomos para vështirësive e dyshimeve, e u gëzua pa masë kur Selia e Shenjtë e miratoi, në vitin 2011, si “Direktiva Katekistike të Ecjes Neokatekumenale”. Nuk pranoi kurrë tituj. Vetëm në vitin 2015, Carmen mori doktoraturën “Honoris Causa” në Teologji, nga i vetmi universitet papnor në SHBA-të, Universiteti Katolik i Uashingtonit, si mirënjohje për kontributin e jashtëzakonshëm në formimin e krishterë, në të gjithë botën. Kurrë hipokrite, Carmen Hernandez i jepte bezdi edhe ndonjë kardinali. “Shpesh – i thoshte Kikos – kujtojnë se jam e vrazhdë dhe e pacipë para ipeshkvijve e kardinajve, por e bëj që ata të të pranojnë ty”. Edhe vetë Kiko e kujton si një grua, që e ndihmoi shumë Ecjen Neokatekumenale, pa ia bërë qejfin as atij vetë, por duke menduar gjithnjë për të mirën e Kishës.








All the contents on this site are copyrighted ©.