2016-07-19 20:00:00

Videomesazhi i Papës Françesku për DBR-në e Krakovit


Nga 27 korriku, Papa Françesku do të shkojë në Poloni, në udhëtimin e tij të 15-të apostolik ndërkombëtar, për të marrë pjesë në DBR-në e Krakovit. Sipas organizatorëve, numri i të rinjve që janë regjistruar në këtë Ditë ka arritur 600 mijëshin. Ndër ta edhe shqiptarë, me të cilët do të njihemi në emisionet e ardhshme. Sot, Ati i Shenjtë u dërgoi të rinjve të mbledhur në Krakov një videomesazh. Ja teksti i plotë:

“Të dashur vëllezër e motra,

tashmë, është afër Dita e 31-të Botërore e Rinisë, që më fton të takohem me të rinjtë e botës, mbledhur në Krakov, e më jep edhe rastin e gëzueshëm të takohem edhe me kombin e dashur polak. Gjithçka do të bëhet nën shenjën e Mëshirës, në këtë Vit Jubilar, e të kujtimit plot falenderim e devocion për shën Gjon Palin II, themeluesi i Ditëve Botërore të Rinisë dhe udhërrëfyesi i popullit polak, në rrugën e tij historike drejt lirisë.

Të dashur të rinj polakë, e di se prej kohësh po e përgatisni, sidomos me lutje, takimin e madh të Krakovit. Ju falenderoj nga zemra për gjithçka bëni e për dashurinë me të cilën e bëni; që tani ju përqafoj e ju bekoj.

Të dashur të rinj nga çdo anë e Evropës, Afrikës, Amerikës, Azisë dhe Oqeanisë! Bekoj edhe vendet tuaja, dëshirat tuaja dhe hapat tuaj drejt Krakovit, që të jenë shtegtim feje e vëllazërimi. Zoti ynë Jezu Krishti ju dhashtë hirin për ta provuar në vetvete këtë fjalë të Tij: “Lum të mëshirshmit, sepse do të gjejnë mëshirë” (Mt 5,7).

Kam dëshirë të madhe t’ju takoj, për t’i ofruar botës një shenjë të re harmonie, një mozaik fytyrash të ndryshme, prej shumë racave, gjuhëve, popujve e kulturave, por të gjitha të bashkuara në emër të Jezusit, që është Fytyra e Mëshirës.

 E tani, ju drejtohem juve, të dashur bij e bija të kombit polak! Ndjej se është dhuratë e madhe e Zotit që po vij mes jush, sepse jeni një popull, që në historinë e vet, ka kaluar shumë sprova, disa shumë të rënda, por ka ecur përpara me forcën e fesë, mbajtur nga dora amnore e Virgjërës Mari. Jam i sigurtë se shtegtimi në Shenjtëroren e Częstochowa-s do të jetë për mua kredhje në këtë fe të sprovuar, që do të më bëjë shumë mirë. Ju falenderoj për lutjet me të cilat po përgatisni vizitën time. Falenderoj ipeshkvijtë dhe meshtarët, rregulltarët e rregulltaret, besimtarët laikë, sidomos familjet, të cilave u dërgoj idealisht Nxitjen Apostolike pas-sinodale ‘Amoris laetitia’. ‘Shëndeti’ moral e shpirtëror i një kombi shihet nga familjet: prandaj shën Gjon Pali II i kishte shumë për zemër të fejuarit, çiftet e reja dhe familjet. Vijoni në këtë rrugë!

Të dashur vëllezër e motra, jua dërgoj këtë mesazh si peng të dashurisë sime. Të qëndrojmë të bashkuar në lutje. E mirupafshim në Poloni!”








All the contents on this site are copyrighted ©.