2016-07-19 14:04:00

SHBA: O’Malley kundër retorikës antimyslimane


Retorika antimyslimane e disa politikanëve në SHBA-të ka rrezik ta përçajë kombin. Është kardinali Sean O’Malley ai, që shqetësohet sidomos nga deklaratat e kandidatit republikan për presidencën, Donald Trump, kundër myslimanëve dhe emigrantëve.

Është e lehtë të flasësh kundër

“Është shumë lehtë të ngjallësh zemërim, kur e hedh çdo faj mbi disa grupe njerëzish”, nënvizoi kryeipeshkvi i Bostonit për radiotelevizionin irlandez RTE. “Emigracioni është temë tepër e rëndësishme, që kërkon shumë reflektim. Kemi nevojë për njerëz vullnetmirë, që ulen në tryezë e diskutojnë ç’duhet bërë për të mirën e përbashkët. Të gjithë kemi nevojë për ligje të drejta emigracioni, që nuk e trajtojnë emigrantin në mënyrë çnjerëzore”.

Katolikët të ndjekin ftesën e Papës për dialog me myslimanët

Sipas kardinalit, sulmi i ri terrorist i 14 korrikut në Nicë, mund t’i kthejë msylimanët në mish për top, prandaj i ftoi katolikët të ndjekin këshillën e Papës Françesku për ta forcuar dialogun me myslimanët. Kujtojmë se kandidati republikan, Donald Trump, sulmoi sërish presidentin amerikan Obama dhe kandidaten e demokratëve, Hillary Clinton, duke i akuzuar se janë të butë me terrorizmin. Edhe më parë ai premtoi bombardime, tortura dhe hakmarrje kundër “familjarëve të terroristëve”, si edhe kthimin e refugjatëve, ardhur nga “vendet terroriste”.








All the contents on this site are copyrighted ©.