2016-07-19 16:47:00

Gjermani: në dhomën e agresorit të trenit, flamuri i Isisit


Ashtu si për Nicën, Shteti Islamik i vë kapelën e vet sulmit me sëpatë e thikë të një 17-vjeçari afgan kundër pasagjerëve të një treni në Bavari të Gjermanisë. Në një komunikatë të agjencisë Amaq të Kalifatit deklarohet se “Ishte një nga luftëtarët tanë”. Po Amaq publikoi edhe videon, në të cilin Muhammad Riad, vrarë nga policia ndërsa ikte duke lënë pas të plagosur, deklaron se është “ushtar i Isisit” dhe se do të bëjë një atentat në Gjermani. Në dhomën e tij – ishte strehuar si refugjat në një familje – hetuesit gjetën flamurin e Isisit pikturuar me dorë. E megjithatë, ashtu si për Nicën, hetimet vënë në dukje një profil të radikalizuar në kohë të shkurtra, që nuk zgjonte asnjë dyshim më parë. Është sulmi i parë me natyrë fundamentaliste islamike në Gjermani, megjithëse ka pasur alarme për atentate edhe më parë.

         17 vjeçari, me thirrjen “Allah Akbar”, filloi të gjuante me sëpatë e me thikë udhëtarët e trenit drejt Würzburg-ut, rreth orës 21 të mbrëmjes së djeshme. Katër turistë nga Hong Kongu u plagosën rëndë, dy burra e dy gra, ndërsa një grua tjetër u plagos, ndërsa agresori po ikte me vrap për t’i shpëtuar policisë. Sipas ministrit të brendshëm gjerman, Joachim Herrmann, një nga të plagosurit është në rrezik jete. Gjithsesi, ministri dhe autoritetet gjermane deklarojnë se nuk është akoma çasti për ta quajtur ngjarjen, atentat terrorist, pavarësisht nga rivendikimet. Hetimet vazhdojnë.

         Para se të hynte në aksion në tren, 17-vjeçari nuk e kishte tërhequr kurrë vëmendjen e apartit të sigurimit gjerman. Kishte ardhur i vetëm nga Afganistani e dy javë më parë ishte transferuar nga autoritetet në një familje.

Myftiu i Madh i Egjiptit: “Agresioni, dëm për Islamin”

Myftiu i Madh i Egjiptit, shehu Shawki Allam, në një notë, dënoi fuqishëm “sulmin terrorist në një tren të Gjermanisë, kryer nga një i ri refugjat, ekstremist afgan”. “Akte të tilla çnjerëzore i bëjnë dëm imazhit të Islamit, që fton për tolerancë, për bashkëjetesë e për dashuri e u bien ndesh parimeve të Kuranit e të Sunës (Kodit të sjelljes). Terrorizmi kërcënon botën e duhet të bashkohemi për t’i bërë ballë këtij rreziku”.

Myftiu i Egjiptit bën dy kërkesa publike: së pari, myslimanët jashtë vendit të tyre të bashkëjetojnë në paqe me perëndimorët, por duke ruajtur vlerat e tyre; së dyti, vendet perëndimore të rishikojnë ligjet, që e kufizojnë lirinë e bashkësive myslimane, në mënyrë që terroristët të mos gjejnë shkas për të pretenduar se shtetet perëndimore janë kundër Islamit dhe myslimanëve.








All the contents on this site are copyrighted ©.