2016-07-18 11:20:00

Më 18 korrik kujtojmë dom Alfons Trackin, martir


Më 18 korrik përkujtojmë shërbëtorin e Zotit, dom Alfons Trackin, në përvjetorin e pushkatimit. Shërbëtori i Zotit, dom Alfons Tracki, lindi më 2 dhjetor 1896 në një familje, që ishte shumë e ndikuar nga një traditë luftarake në Bleischwitz/ Bliszezyce (Wroclaw) me prejardhje polake.

Pasi mbaroi studimet teologjike në Bosnje në vitin 1920, u transferua në Shkodër (Shqipëri) si misionar. Ishte shumë i zellshëm në ushtrimin e veprimtarisë së tij meshtarake e shumë i ndjeshëm kundrejt problemeve shoqërore, gjithmonë me një shpirt të krishterë.

Organizoi grupin “Viribus Unitis”, duke mbledhur kështu shumë të rinj, të cilët i formonte me vlera të krishtera e njerëzore, shpirtërore e kombëtare. Hapi një shkollë për fëmijët më të mëdhenj se dhjetë vjeç. Luftoi me ngulm traditat e këqija si hakmarrja dhe marrja e gjakut. Gjithmonë, për këto probleme, ofronte një zgjidhje të krishterë.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, dom Alfons Tracki, disa herë u bë ndërmjetësues tek oficerët gjermanë për të liruar shumë shqiptarë, ndër të cilët kishte edhe të rinj komunist, edhe pse e dinte mirë rrezikun që mund të sillte teoria ateiste e komuniste për popullin e besimet fetare në përgjithësi.

Kontribuoi shumë edhe në krijimin e një ekuilibri më të mirë të bashkëjetesës e të dashurisë reciproke ndër bashkësitë fetare të pranishme në vend. Ia kushtoi vetveten formimit të klerikëve: ishin 14, gjashtë u masakruan dhe u pushkatuan nga komunistët, kurse pesë vdiqën pas një burgimi të gjatë.

Gjatë gjyqit, sipas Atë Konradit o.f.m., bëri këtë deklaratë: “… nuk më vjen keq aspak se po vdes bashkë me vëllezërit e mi, sepse, për sa kam mundur, kam kontribuar edhe unë me ju, për të mirën tuaj dhe të fesë së Krishtit”. U pushkatua më 18 korrik 1946.








All the contents on this site are copyrighted ©.