2016-07-18 15:40:00

Papa telefonon në Nicë: jep forcë e shpresë


Solidaritet, afërsi, ngushëllim e lutje për të gjithë njerëzit e goditur nga masakra e 14 korrikut në Nicë. Këto, ndjenjat që shprehu Papa në një bisedë telefonike me kryetarin e shoqatës “Amitié France-Italie”,  (Miqësia Francë-Itali), Paolo Celi dhe me kryetarin e bashkisë së qytetit, Christian Estrosi.

Bisedë telefonike, që i bëri jehonë fjalëve të Françeskut shqiptuar dje, në lutjen e  Engjëllit të Tënzot: “Zoti  e prishtë çdo plan terrori e vdekjeje, që asnjë njeri të mos guxojë më të derdhë gjakun e vëllait”.

Ishte ky, një përqafim vëllazëror e atëror për të gjithë banorët e Nicës si dhe për mbarë kombin francez. Nga Sheshi i Shën Pjetrit, në Promenade des Anglais, jehuan fort në zemër të gjithë njerëzve të lënduar, këto fjalë të Françeskut. E sot Franca u ndalua për një minut  heshtjeje, në kujtim të më se 80 viktimave. Në lokalitetin e Costa Azzura-s(Bregut të Kaltër), takimi i heshtur nisi nga ora 11.45, me pjesëmarrjen e më se 15 mijë vetëve. Një det me njerëz, i mbledhur pranë Monument du Centenaire, pak hapa larg Promenade des Anglais. Të pranishëm në ceremoni, autoritetet vendase, me  kryetarin e bashkisë e kryetarin e shoqatës së Miqësisë franko-italiane.  Që të dy morën telefonatën e Papës, që nuk e prisnin e merreni me mend sa u çuditën, kur dëgjuan një zë, që u thoshte: “Paolo. Jam Papa Françesku”, “Kristian, po të flet Papa”. E më pas edhe “Ç’mund të bëj për t’ju ndihmuar?”. E edhe dëshira për një takim në Romë, pa e caktuar ende datën.








All the contents on this site are copyrighted ©.