2016-07-17 14:15:00

Papa për masakrën e Nicës: mjaft më me vrasje vëllezërish, të ndërtohet bota mbi mikpritjen


Thirrje e re e Papës, në Engjëllin e Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, pas masakrës së Nicës. Françesku i shprehu afërsinë e tij popullit francez dhe kërkoi të marrë fund terrori. Gjatë komentit të Ungjillit të së dielës, u drejtoi të gjithëve ftesën për ndërtimin e një bote të re, duke praktikuar virtytin njerëzor e kristian të mikpritjes, që sot, nënvizoi, rrezikon të  harrohet.

Menjëherë pas masakrës së Nicës, Papa shprehu tronditjen e thellë për këtë “dhunë të verbër, që godet njerëz të pafajshëm e nuk e di ç’është mëshira as kur është fjala për jetë fëmijësh”.

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, përballë një turme vigane, mbledhur nga mbarë bota në Sheshin e Shën Pjetrit, Françesku shprehu edhe një herë dhimbjen e thellë për këtë ngjarje kaq tronditëse:

“Në zemrat tona është e freskët dhimbja e shkaktuar nga masakra që, mbrëmjen e së enjtes së kaluar, në Nicë, korri aq jetë të pafajshme, deri një mori fëmijësh. Jam pranë të gjitha familjeve e mbarë kombit francez, në zi. Zoti, Atë i mirë, i pranoftë të gjitha viktimat në paqen e Tij, i ndihmoftë të plagosurit e i ngushëlloftë familjarët; Ai e prishtë çdo plan terrori e vdekjeje, që asnjë njeri të mos guxojë më të derdhë gjakun e vëllait. Një përqafim vëllazëror e atëror të gjithë banorëve të Nicës si dhe mbarë kombit francez”.

Duke u ndaluar, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot,  tek Ungjilli i së dielës, sot fragmenti i vizitës së Jezusit në shtëpinë e Martës e të Marisë, Papa ftoi për ndërtimin e një bote të re, më vëllazërore, të bazuar mbi mikpritjen e jo mbi mënjanimin e përjashtimin. Dy motrat, që presin në shtëpinë e tyre Jezusin, na kujtojnë se mikpritja është virtyt njerëzor e kristian, virtyt që - pohoi Françesku - për fat të keq, në botën e sotme rrezikon të zbehet e të humbasë:

“Vërtet shtohen klinikat dhe azilet, por jo gjithnjë në këto mjedise praktikohet edhe mikpritja e vërtetë. Krijohen institucione, që kujdesen për forma të ndryshme sëmundjesh, vetmie, braktisjeje, por pakësohet mundësia që i huaji, i përjashtuari nga radhët e shoqërisë të gjejë ndokënd gati për ta dëgjuar. Deri në shtëpi tënde, ndërmjet familjarëve të tu, mund të ndodhë të gjesh më lehtë gjithfarë shërbimesh e kujdesesh, sesa dikënd, që të dëgjon e të mirëpret”.

Sot jemi të pushtuar ankthshëm nga një mori problemesh, disa nga të cilat fare pa rëndësi - tha Papa - e prej këndej, na mungon aftësia për të dëgjuar:

“Jemi vazhdimisht të mbytur në punë e kështu nuk kemi kohë për të dëgjuar. E unë dëshiroj t’ju pyes ju, t’ju bëj një pyetje e secili t’i japë përgjigje në zemër të vet: ‘Ti, burrë, a ke kohë për ta dëgjuar tande shoqe? E ti, grua, për ta dëgjuar tënd shoq? Ju prindër, a keni kohë për t’i dëgjuar bijtë tuaj, gjyshërit, të moshuarit?’... ‘Uhh, po gjyshërit thonë gjithnjë të njëjtat fjalë, janë të mërzitshëm…’. Janë si janë, po kanë nevojë t’i dëgjojë dikush! Të dëgjosh. Ju kërkoj të mësoheni për të dëgjuar e për t’u kushtuar më shumë kohë. Në aftësinë për të dëgjuar është rrënja e paqes”.

Në fragmentin ungjillor, Maria dëgjon fjalët e Jezusit, ndërsa Marta, në lëvizje të vazhdueshme, sepse e zënë me njëmijë punë shtëpie, i ankohet Mësuesit se e motra nuk po e ndihmon fare. E Zoti e porosit të mos ia marrë frymën vetes, por të zgjedhë, si Maria, pjesën më të mirë, të vetmen gjë, që është vërtet e nevojshme:

“Ndërsa mendon për një mijë punë, Marta është në rrezik të harrojë gjënë më të rëndësishme, praninë e mikut, në këtë rast, të Jezusit. Harron praninë e mikut. E mikun nuk duhet vetëm ta ushqesh, t’i shërbesh me kujdesin më të madh. Duhet ta dëgjosh, sidomos. Kujtojeni mirë këtë fjalë: të dëgjosh! Sepse mysafiri  duhet pranuar si njeri, me  historinë e tij, me zemrën e tij të pasur me ndjenja e mendime, që të mund të ndjehet vërtet si në familje. Por nëse ti e pret mikun në shtëpi tënde e vijon të merresh me punë, e ul aty në një skaj, e ai pa fjalë e ti pa fjalë, është si të ishte prej guri, mik guri. Jo! Mysafiri duhet dëgjuar”.

Gjëja e vetme, për të cilën kemi vërtet nevojë - shpjegoi Papa - është dëgjimi i fjalës së Jezusit, asaj fjale, që ndriçon e mbështet  gjithçka jemi e gjithçka bëjmë. Por nuk duhet harruar se edhe në shtëpinë e Martës e të Marisë, Jezusi, para se të jetë Zot e Mësues, është shtegtar e mysafir:

“Nëse ne shkojmë të lutemi - për shembull - para Krishtit të Kryqëzuar e flasim, flasim, flasim e pastaj ngrihemi e shkojmë, do të thotë se nuk e dëgjojmë fare Jezusin! Nuk e lëmë që Ai t’i flasë zemrës sonë. Të dëgjosh: kjo është fjala kyçe. Mos e harroni! Por nuk duhet harruar  edhe se Jezusi, para se të jetë Zot e Mësues, është shtegtar e mysafir. Prej këndej, përgjigjja e Tij ka, së pari, këtë kuptim: Marta, Marta, pse mundohesh për mikun aq shumë, sa ta harrosh fare praninë e tij? Mik prej guri! Për ta pritur mikun, nuk është nevoja të bësh shumë gjëra; madje, është  e nevojshme një gjë e vetme: ta dëgjosh - kjo është fjala kryesore - të sillesh me të si ta kishe vëlla, në mënyrë që ta ndjejë veten në familje e jo nën një strehë të përkohshme”.

Papa e përfundoi Engjëllin e Tënzot me lutjen drejtuar Marisë:

“Virgjëra Mari, Nëna e dëgjimit dhe e shërbimit të kujdesshëm, na mësoftë  t’i mikpresim vëllezërit e motrat tona”.

E edhe një urim, e një porosi, para ndarjes me besimtarët:

“Ju uroj të gjithëve të diel të gëzuar. E, mos harroni të luteni për mua! Drekën e mirë e mirupafshim!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.