2016-07-17 14:18:00

Imzot Miguel Ángel Ayuso Guixot viziton Universitetin e Al-Azhar


Imzot Miguel Ángel Ayuso Guixot, sekretar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, ishte këto ditë për vizitë në Universitetin e Al-Azhar, në Kairo, pas takimit historik të Papës Françesku me Imamin e madh të Al-Azhar, profesor Ahmad Al-Tayyib.

Në mikrofonin e Radio Vatikanit, imzot Ayuso nënvizoi rëndësinë e këtij dialogu, që nisi qysh nga viti 1998. Dialog i përqendruar mbi disa tematika të rëndësishme, si roli i besimtarëve në shërbim të paqes, edukimi, të rinjtë, roli i gruas. Nuk mungon as vullneti i mirë  për të punuar së bashku si besimtarë, kundër çdo tipi të varfërisë – pohoi prelati - përmes vëllazërisë, solidaritetit e drejtësisë, në mbrojtje të të drejtave e të dinjitetit të çdo njeriu. E as mirëkuptimi për dënimin e përbashkët të shpërdorimit të fesë. Feja - mendim i përbashkët ky - nuk duhet  shfrytëzuar kurrë si burim përjashtimi, mërie, dhune e terrorizmi. Fetë e kanë për detyrë të propozojnë vlerat pozitive, për të kapërcyer krizat, të cilat e kanë mbërthyer keqas botën në të cilën jetojmë e, sidomos, për të siguruar paqen për çdo njeri e për mbarë njerëzimin. 








All the contents on this site are copyrighted ©.