2016-07-16 15:16:00

Dështon grushti ushtarak i shtetit në Turqi: 200 të vdekurit, 3000 të arrestuarit


Në Turqi dështon grushti i shtetit kundër presidentit Erdogan. 200 të vdekur deri tani gjatë ndeshjeve, 3000 kundërshtarë të arrestuar. Kreu i shtetit ikën, pastaj rikthehet në Stamboll e, i mbështetur nga turma, që zbret në shesh, pohon “fajtorët do ta paguajnë shtrenjt”. Partia qeveritare flet për dënime me vdekje.

Grusht shteti, që zgjat vetëm pak orë. Gjithçka filloi mbrëmë, rreth orës 22.00. Ushtarakët nisën sulmin në Stamboll e Ankara, rrethuar nga britmat e njerëzve. Në kryeqytet, para parlamentit, u dukën menjëherë tanket, ndërsa helikopterët qëllonin mbi pallatin presidencial dhe rebelët hynin në selinë e TV të shtetit për të dhënë lajmin: “e morëm pushtetin, do të sjellim përsëri demokracinë dhe laicitetin”. Më pas e akuzojnë Erdoganin për autoritarizëm si dhe për islamizimin e vendit. Ushtarakët kërkojnë një Turqi shumë më të lidhur me Naton  e më pranë SHBA-ve, ndërsa çështja e separatistëve kurdë mbetet e pazgjidhur. Peshon rëndë edhe roli turk mbi krizën siriane. Në Stamboll pushtojnë dy urat kryesore mbi Bosfor dhe aeroportin.

Orë pështjellimi. Kreu i shtetit, që kalon pushimet në Detin Egje, duket sikur do të kërkojë strehim politik jashtë vendit. Një pjesë e ushtrisë dhe e policisë reziston. Edhe një pjesë e mirë e përkrahësve të presidentit  zbret në shesh. Ndeshjet janë të forta. Një helikopter i ushtarakëve rrëzohet. Pastaj, rreth orës 3.00, Erdogan kthehet në Stamboll, është ndërmjet turmës, që brohoret “Allah!” e kumton: grushti i shtetit dështoi, autorët do ta paguajë shtrenjt. Ushtria do të spastrohet. E akuzon se ka gisht në atentat, predikatarin karizmatik mysliman Gulen, kundërshtar i tij i papajtueshëm, ikur në SHBA. Por i interesuari përgjigjet sakaq, duke e përgenjështruar akuzën.

Kryeministri turk Yildirim, në një konferencë shtypi me pjesëmarrje të gjerë, flet për “një strukturë paralele në forcat e armatosura”, term që udhëheqja turke e përdor për sivëllazërinë e Gulen, duke shtuar se kush i strehon, është armik i Ankarasë. Pohon edhe se kjo është një faqe e zezë për vendin, por falënderon popullin turk, që iu përgjigj në mënyrën më të  mirë të mundshme terroristëve. Pas kësaj, vijuan të rezistojnë vetëm disa ushtarë kryengritës, por situata u vu pothuajse plotësisht nën kontrollin qeveritar. 8 kryengritës ikën me helikopter në Athinë, por u arrestuan: qeveria turke kërkon rikthimin e menjëhershëm të tyre në vend. Ushtarakët rebelë të vrarë mendohet të jenë rreth 100. Presidenti amerikan Obama, kancelarja gjermane Angela Merkel si dhe kryeministri italian Renzi,  e mbështesin plotësisht qeverinë e zgjedhur me votime demokratike.

Turqia vijon të jetojë orë tensioni, e mbërthyer siç është akoma nga atmosfera e krizës. Në këtë krizë mbetën të mbërthyer edhe shumë turistë. Aeroporti vijon  ta ndjejë pështjellimin: qindra fluturime janë shlyer nga lista  e mijëra turistë, bllokuar, në një vend, që vijon të zjejë.








All the contents on this site are copyrighted ©.