2016-07-16 00:00:00

Stepinac, në mendimet e Françeskut, të Benediktit e të Gjon Palit II


Këto ditë u mbajt, në Vatikan, takimi i parë i komisionit të përbërë kroat e serb, i ngarkuar për të rilexuar bashkërisht jetën e kardinalit Alojzije Stepinac, para, gjatë e pas Luftës II Botërore. Lajmi jepet përmes një komunikate, që shpjegon se ky Komision u krijua  me nismën e vetë Atit të Shenjtë, pas disa takimesh e këshillimesh të përfaqësuesve të Selisë Apostolike, Kishës ortodokse serbe dhe Konferencës ipeshkvnore kroate, për t’iu përgjigjur kërkesës së sqarimit të disa pyetjeve të historisë, që mbeten ende pa përgjigje.

Stepinac, në mendimet e Françeskut, të Benediktit e të Gjon Palit II

Më 7 prillin e kaluar, në bisedimet e Papës Françesku me kryeministrin kroat Orešković, u theksua fort rëndësia e figurës së të Lumit Stepinac për besimtarët kroatë. E kardinali i Lum ishte figurë shumë e dashur edhe për Papën Benedikti XVI, që foli për rolin e tij në luftën kundër çdo totalitarizmi, gjatë shtegtimit në Kroaci. Diti të qëndrojë si burrë - nënvizoi - ballë për ballë me diktaturat, me atë naziste e fashiste, si mbrojtës i hebrenjve, ortodoksëve dhe  gjithë të persekutuarve e, mëpas, në periudhën e komunizmit, si “avokat” sypatrembur i besimtarëve të tij, posaçërisht i shumë meshtarëve të persekutuar e të vrarë.

Kur e lumnoi, Gjon Pali II shpjegoi se i Lumi Stepinac nuk e derdhi gjakun në kuptimin e ngushtë të kësaj fjale. “Vdekja e tij u shkaktua nga vuajtje të gjata, të cilat i përballoi me guxim e qëndresë të pashoqe. E vuri vazhdimisht në rrezik jetën, vetëm e vetëm për ta dëshmuar Ungjillin e për të mbrojtur unitetin e Kishës”.

Kardinali Stepinac mbetet figurë sintetizuese e gjithë tragjedisë, e cila goditi popullsinë kroate dhe Evropën, gjatë periudhës, që përballoi tri të këqija: fashizmin, nazizimin e komunizmin!

 








All the contents on this site are copyrighted ©.