2016-07-15 17:36:00

Ipeshkvi i Nicës: kërdi tronditëse, por nuk duhet të përftojë urrejtje tjetër


“Pavarësisht nga prejardhja, kjo mizori është e papranueshme, e palejueshme”. Vendi u godit për vdekje, ndërsa kremtonte një çast  bashkimi kombëtar. Në këto çaste dramatike, solidariteti duhet të jetë më i fortë se terrorizmi”. Kështu shprehen ipeshkvijtë francezë, pas masakrës së Nicës. Prelatët i ftojnë të gjithë katolikët  e Francës të luten për viktimat e këtij sulmi, posaçërisht në Meshën e kësaj së diele. Por, për atentatin, të dëgjojmë ipeshkvin e Nicës, imzot André Marceau:

Përgjigje: - Mon sentiment c'est un sentiment de shock, un sentiment…

Jam në gjendje tronditjeje, frike të madhe, moskuptimi të madh…Është një nga ato gjeste të çmendura, që lindin çuditërisht në zemrën e njeriut. Në këtë rast, të një njeriu; po si është e mundur që një njeri, me mend në kokë, të bëjë një masakër të tillë? Njeriu nuk është bërë për vdekjen, nuk është bërë për të shkaktuar vdekje. E ky, për mua, është shkandull i vërtetë!  Këto janë ndjenjat e shumë njerëzve, që ishin dëshmitarë të drejtpërdrejt të ngjarjes, e cila i la pa mend. Ndjehet fort edhe dhembshuria e afërsia. Tani duhen ftuar të gjithë të mos mbyllen në vete e në shtëpitë e tyre, të mos izolohen nga ky “shkandull”, nga kjo “e keqe”, që është vërtet tronditëse e që, me të drejtë, mund të ngjallë urrejtje, moskuptime e mbyllje. Duhet shmangur kjo, doemos. U bëj thirrje të gjithëve të jenë shumë pranë njeri-tjetrit, të flasin të takohen. Kishat tona do të jenë hapura gjithë ditën e do t’i lutemi vazhdimisht Zotit, që është burim i dashurisë, të mos na lëshojë dore. Njerëzit duhet të kenë guxim t’i dëgjojnë britmat e zemrave, britmat e vuajtjeve, britmat e moskuptimeve të tyre.

Pyetje: - Ç’mund të na thoni për marrëdhëniet ndërmjet konfesioneve të ndryshme fetare në Nicë, në këtë çast të vështirë?

Përgjigje: - Alors, sur le diocèse nous avons une proximité très grande…
Në dioqezë ka shumë afërsi ndërmjet bashkësive të ndryshme fetare, ndërmjet të krishterëve të të gjitha emërtimeve, myslimanëve dhe hebrenjve. Kemi takime të rregullta e kemi botuar edhe lajme të përbashkëta për ngjarjet, që e goditen për vdekje shoqërinë, si rasti i vrasjes së një gazetari në Algjeri, që ishte nga Nica. Organizuam së bashku, edhe me autoritetet vendase, marshime publike, për të nënvizuar atë, që na kërkon Ati i Shenjtë: unitet, që të japim dëshmi  të Mëshirës Hyjnore e të tregojmë se kjo, që po ndodh, nuk përfaqëson sigurisht fytyrën e Zotit.

Pyetje: - Keni përpara zemra të shkatërruara, zemra të plagosura, familje të rrënuara: ç’fjalë dëshironi t’u thoni?

Përgjigje: -  Je crois que c'est la parole de cœur, c'est la parole de la proximité…

Besoj se duhet t’u them fjalë zemre, fjalë afërsie. Ka rëndësi të jemi pranë këtyre njerëzve. E di se shpesh fjalët  nuk vlejnë fare, nuk mjaftojnë. Ka raste kur  vendin e fjalës duhet ta zërë heshtja. E ky është një nga këto raste, sepse vuajtja është tepër e madhe e nuk mund të fashitet me fjalë. U shkatërruan aq jetë, jetë fëmijësh, të rinjsh, bashkëshortësh… Mund t’u thuash vetëm një fjalë: “Jemi me ju!”. Sidomos njerëzve të vetmuar, sepse njeriu i vetmuar e ndjen tmerrësisht dhimbjen. Afërsi, duhet të jetë, pra, fjala jonë; të jemi pranë njerëzve, që humbën të dashurit, të kemi guximin t’i marrim për dore, në heshtje… Është e vështirë, e di… Po ne jemi aty pranë!








All the contents on this site are copyrighted ©.