2016-07-15 16:31:00

Atentati në Nicë, si Izraeli e Palestina


Atentati i Nicës ndjek të njëjtën mënyrë të përdorur disa herë në Izrael e Palestinë. Kështu komenton, në mikrofonin tonë, analisti ushtarak e strategjik italian, Alessandro Politi, drejtor i Fondacionit Nato:

         Arma kryesore e sulmit ishte vetë kamioni, i cili është marrë me qira. Fatkeqësisht, kjo mënyrë është përdorur edhe në Izrael e në Palestinë, sidomos me makina, pra, me efekte më pak shkatërruese. Atentatori njihej nga policia jo si radikal, por për çështje mikrokriminaliteti. Kjo nuk na habit, sepse ambienti i terroristëve të mundshëm ushqehet nga bota e kriminalitetit të vogël e nuk kalon më përmes xhamive tradicionale. Me të vërtetë, radikalizimi është shumë më i shpejtë kështu, sepse personi nuk interesohet për çështje fetare, por dëshiron t’i japë kuptim një jete, që shpesh është e humbur. Ka njerëz – e fatmirësisht janë pak – që mendojnë se përmes një gjesti terrorist mund t’i japin kuptim jetës, për një ideal të madh në dukje, por që në të vërtetë, është vetëm një kurth.

         Franca po bëhet vend i privilegjuar për këto lloj sulmesh…

         Ka dy probleme. Së pari, kjo valë terrorizmi vjen nga larg. Nuk mund të braktisen me dhjetëvjeçarë periferitë (banlieue), duke mos e kuptuar se aty krijohet kultura e favorshme për rekrutimin e terroristëve. Është prishur pakti shoqëror i Republikës Franceze me një shtresë të gjerë qytetarësh me probleme. Pastaj, duhet kuptuar se së paku prej pesë vjetësh, shërbimi i brendshëm i sigurimit nuk ka më kapacitet për t’i bërë ballë rritjes së numrit të njerëzve potencialisht të rrezikshëm. Përgjegjësit e sigurisë franceze duhet të kuptojnë si t’i rishpërndajnë më mirë forcat e rendit, për të mos mbetur në nivelin e sotëm.

         A është e mundur t’i parandalojmë këto sulme?

         Mund të bëhet, por duhet pasur parasysh se rrjeti informativ në këto ambiente, njësoj si në ambientet mafioze, nuk krijohet nga hiçi. Nuk mund të mendojmë se problemi mund të zgjidhet vetëm përmes sigurisë dhe qetësimit të publikut.  Duhet të mendojmë për një politikë më shoqërore, duke u kujdesur për shumë sektorë ku vështirësitë janë të thella e ku sirena e terrorizmit i ka portat e hapura. Kjo duhet bërë edhe nëpër burgje, sepse ato kthehen në shkolla formimi për krimin dhe terrorin. Nuk mjafton t’i fusësh njerëzit në burg e të hedhësh çelësin. Nuk zgjidhen kështu problemet.








All the contents on this site are copyrighted ©.