2016-07-15 12:47:00

Atentat në Nicë: 84 të vrarë, dhjetra të plagosur. Ngushëllimet e Françeskut


Franca goditet përsëri. Në Nicë, një kamion sulet mbi turmën gjatë festimeve të 14 korrikut. Deri tani numërohen 84 të vdekur e 18 të plagosur. Atentatori, franko-tunizian, 31 vjeç, i dënuar disa herë për faje të vogla, vritet nga policia.

Në këtë atmofesë zije, Papa i drejton një telegram ngushëllimi Ipeshkvit të Nicës, imzot André Marceau, nënshkruar nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin:

“Nësa Franca kremtonte festën kombëtare - shkruan Papa në mesazh -dhuna e verbër e goditi përsëri vendin në Nicë, për të shkaktuar një mori viktimash, ndërmjet të cilave, edhe fëmijë. Duke e dënuar ashpër këtë akt, Shenjtëria e Tij  Françesku shpreh dhimbjen e thellë dhe e siguron popullin francez për afërsinë shpirtërore. Papa ia beson Mëshirës Hyjnore njerëzit, që humbën jetën dhe i shoqëron me lutje familjarët në zi. U shpreh afërsinë edhe të plagosurve si dhe të gjithë atyre, që po japin ndihmë, për ta lehtësuar këtë situatë, duke iu lutur Zotit t’i mbështesë të gjithë ta kapërcejnë këtë provë të rëndë. Mesazhi përfundon me lutjen e Papës drejtuar Zotit, për t’i kërkuar dhuratën e paqes e të harmonisë dhe  me bekimet hyjnore për familjet e lënduara dhe mbarë popullin francez”.

Ishte ora 22. 45, kur gjatë shëtitores së anglezëve, në bregdetin e Nicës, terrori e goditi përsëri Francën, pas Batclan-it dhe sulmeve mbi Parisin, nëntorin e kaluar. Kamioni vrasës, i gjatë 15 metra, kaloi mbi turmën, mbledhur për të soditur shfaqjen e fishekzjarreve e për të festuar, kështu, marrjen e Bastijës. Një vrap i çmendur, me shpejtësi të jashtzakonshme e me zig-zage, për të shtypur sa më shumë njerëz. Dy kilometra rrugë, ndërsa atentatori niste breshëri plumbash nga dritarja, duke korrur njerëz, derisa u vra edhe vetë nga policia. Qindra vetë u hodhën në det, të tjerë u strehuan me vrap në shtëpitë e lokalet buzë rrugës, për t’i ikur zjarrit. I rëndë bilanci: 84 të vdekur, ndërmjet të cilëve, shumë fëmijë e dhjetra të plagosur, rreth 20 prej të cilëve, në gjendje të rëndë. Sipas të dhënave të fundit,  burri, i njohur nga forcat e rendit për krime të vogla, veproi i vetëm e nuk mori pengje, siç u mendua në fillim, ndërsa në makinë u gjetën armë false e një granatë e papërdorshme. Në mbrëmje presidenti Hollande u kthye në Paris, nga Avinjoni, dhe foli shprehimisht “për një akt të ri terrori kryer me dhunë  absolute”. Në orën 9.00 u mblodh  këshillli i sigurisë dhe i mbrojtjes, që e zgjati  edhe për tre muaj të tjerë gjendjen e emergjencës, e cila duhet të përfundonte më 26  korrik. Autorët e vërtetë të këtij atentati të ri nuk njihen ende, por në mjetet e tyre komunikimit, xhihadistët e Shtetit Islamik po e kremtojnë këtë masakër të re.

Një mbrëmje festive fishekzjarresh, shndërruar në zjarr vdekjeprurës, në Promenades des Anglais, në bregdetin  e bukur të Nicës, ku qenë mbledhur qindra mijëra njerëz.  Mendohet se aty qe e gjithë Nica, por edhe më shumë. Ishte festë gazmore nën qiellin blu, me shfaqje, këngëtarë, muzikantë. Me një turmë festive, shndërruar sakaq në turmë të terrorizuar e uluritëse, që vraponte si e çmendur rrugëve. Ishte skenë e vërtetë terrori, që e goditi përsëri në zemër Evropën!








All the contents on this site are copyrighted ©.