2016-07-15 13:29:00

Lamtumirë Gammarellit, që veshi papë e kardinaj


Lamtumirë Gammarellit, që veshi papë e kardinaj! Ishte rrobaqepës i papëve, Gammarelli, mjeshtrí, që e pati trashëguar brez pas brezi familja e tij. Pak ditë më parë u nis për në banesat e amshuara. Figurë historike e qytetit, në dyqanin e tij, themeluar që në vitin 1798,  trokisnin vazhdimisht priftërinj, ipeshkvij, kardinaj, madje edhe vetë papët. Pritur e shërbyer me të njëjtin kujdes, që nuk i mungoi kurrë familjes së tij, e cila e kaloi jetën me metër e gjilpërë në dorë, në dyqanin pranë Panteonit. Kështu Gammarelli një ditë u emërua “Mazziere di Sua Santità” - “Mbajtës i shkopit të Shenjtërisë së Tij”. E meritoi për artin që, me Gammarellin, arrinte në brezninë e pestë. Tani timoni i dyqanit është në duart e breznisë së gjashtë. 16 vjet më parë “firma Annibale Gammarelli” u shkrua në listën e Dyqaneve historike të Romës e, ka shumë mundësi, të jetë më e vjetra e Kryeqytetit, e drejtuar nga pasardhës të drejtpërdrejtë të atij, që e themeloi.

Ky dyqan, që u ka shërbyer mijëra meshtarëve, qindra kardinajve e ipeshkvijve, ka realizuar veshjet e të gjithë Papëve të fundit, nga Piu IX e në vijim, deri te Papa i sotëm, Françesku. Roma i dha lamtumirën e fundit rrobaqepësit të papëve, me një kremtim prekës, në famullinë e  Gjakut të paçmuar të Jezu Krishtit. Po dyqani u hap përsëri, për të pritur priftërinj, ipeshkvij, kardinaj e edhe vetë Françeskun, që e ka vizituar një herë personalisht dyqanin.

Në rrobaqepësinë e vogël Gammarelli në qendër të Romës, vitrina e rrethuar me dru lisi ofron një pamje shumë të veçantë: të ekspozuara aty janë tri veshje papnore të masave të ndryshme: njëra e vogël, tjetra e mesme dhe e treta e masës më të madhe. Ashtu siç e do tradita, 100-vjeçare tashmë, për Papën e ri përgatiten gjithnjë tri veshje. Njëra është rroba e bardhë me pelerinën e kuqe, të cilën Ati i Shenjtë e mban kur  duket në ballkon menjëherë pas zgjedhjes. Sipas zakonit, realizohen paraprakisht tre variante të së njëjtës veshje për kreun e ri të Selisë së Shenjtë, përderisa nuk dihet cili do të jetë.

“Rrobat palosen dhe secila vendoset në kutinë që i përshtatet masave te kapelës që do të mbajë në kokë, këpucëve e të gjithë sendeve të nevojshme. Çdo veshje ka kutinë e saj dhe sido që të jetë Papa i ri, i dobët apo i shëndoshë, rrobën e ka gati.

Turistët, që kalojnë në këtë rrugicë për të mbërritur në Panteon, një prej tempujve më të lashtë e më madhështorë të Romës, i hedhin vetëm ndonjë sy dyqanit në rrugën e Shën Kjarës. Por romakët, që e dinë se është vendi ku qepen rrobat e Papës janë shumë më kureshtarë. E dinë edhe se, me të dalë tymi i bardhë nga oxhaku i Kapelës Sikstine, që nënkupton zgjedhjen e Papës, bëhet edhe përzgjedhja përfundimtare e veshjeve, që do t’i përshtaten Kryebariut të Kishës universale, përpara se të dalë në ballkonin e Bazilikës së Shën Pjetrit për të përshndetur Romën dhe mbarë Botën. Janë gati, në dyqanin e Gamarellit!








All the contents on this site are copyrighted ©.