2016-07-14 12:52:00

Nga “Toleranca fetare e shqiptarëve në zig-zaget e historisë”. Sot, kush i dëboi jezuitët


Është fragmenti i tretë, që shkëpusim nga vepra “Toleranca fetare e shqiptarëve në zig-zaget e historisë”1, me autor profesor Kahreman Ulqinin. E zgjodhëm, sepse sjell disa të reja interesante lidhur me  dëbimin e jezuitëve nga Shqipëria, kur erdhën për herë të parë, për të hedhur themelet e seminarit. Besohej se qenë fanatikët myslimanë, që ua bënë të padurueshëm qëndrimin, por nuk ishin vetëm ata. Kishte gisht edhe ndonjë katolik...

“Më 1843 një çetë fanatikësh myslimanë përzunë nga Shkodra tre jezuitë, që po përgatitnin hapjen e një seminari katolik. Në lidhje me këtë ngjarje ipeshkvi i Shkodrës i shkruante më 1851 Kardinal Fransonit në Romë për Zef Jubanin: “këtij njeriu duhet t’ja kesh frikën edhe për influencën që ka midis muhamedanëve, me anën e të cilëve mund të bëjë keq, siç mori pjesë në rrëzimin e etërve jezuitë…”. Konsulli i Francës në Shkodër Hyacinthe Hecquard, ndonëse nuk e përmend emrin e Zef Jubanit për këtë rast në veprën e vet, shkruan se turma u nxit nga disa të krishterë. Sipas atë Gjergj Fishtës ”mnia e disa anmiqve e ngatërresat e do të kshtenve” i detyruan jezuitët të largohen.

Nga kjo shkoqitje kuptohet se ngjarja ndodhi jo vetëm për motive fetare. Njëri nga pjesëmarrësit në atë aksion, sipas këngës popullore, shpreh pendesë:

         Hysen beg-o fike pishen

         Përnjat faj qi kena bamë

         Na vrau Zoti e çartme kishen2  

         Po na merr mbreti nizamë

Kjo totelancë fetare shfaqet pa ndërprerje në të gjitha anët e jetës, në veprimtaritë e përditshme. Rrethanat e mundësitë më diktojnë të përqendrohem në çështje kryesore të një teme të pa trajtuar tërësisht më parë - shkruan autori - dhe vijon: “Uroj që kjo sprovë të jetë pikënisje në realizimin e një monografie të plotë nga dikush tjetër, mbasi vitet e mia nuk premtojnë”. Kush do ta vijojë këtë studim kaq interesant?

1 Kahreman Ulqini, Toleranca fetare e shqiptarëve në zig-zaget e historisë”, Shkodër 2016,  Fq 15-16

2 Seminari








All the contents on this site are copyrighted ©.