2016-07-14 15:02:00

Mblidhet Komisioni i përbërë për të rilexuar jetën e të Lumit Stepinac


Këto ditë u mbajt, në Vatikan, takimi i parë i komisionit të përbërë kroat e serb, i ngarkuar për të rilexuar bashkërisht jetën e kardinalit Alojzije Stepinac, para, gjatë e pas Luftës II Botërore. Lajmi jepet përmes një komunikate, që shpjegon se ky Komision u krijua me nismën e vetë Atit të Shenjtë, pas disa takimesh e këshillimesh të përfaqësuesve të Selisë Apostolike, Kishës ortodokse serbe dhe Konferencës ipeshkvnore kroate, për t’iu përgjigjur kërkesës së sqarimit të disa pyetjeve të historisë, që mbeten ende pa përgjigje.

Komisioni zhvillon një punë historiko-shkencore e nuk ndërhyn në procesin e shenjtërimit

Kardinali Stepinac, kryeipeshkëv i Zagrebit nga viti 1937, jetoi një herë periudhën e Luftës II Botërore e, më pas, më 1946, regjimin komunist të Titos. Provoi burgun, gjykimin e dënimin. Vdiq në arrest shtëpiak, në vitin 1960. Kisha katolike është angazhuar prej kohe për ta njohur kardinalin Stepinac si bari shenjt. U lumnua nga Papa Gjon Pali II në vitin 1998, por lajmi i lumnimit u prit me ngurrime e edhe me kundërvënie nga bota serbe.

Prandaj u mblodh, këto ditë, komisioni, i kryesuar nga atë Bernard Ardura, kryetar i Komitetit Papnor të Shkencave Historike, që u ngarkua të bëjë një punë shkencore, duke ndjekur metodologjinë e shkencave historike, bazuar mbi dokumentacionin në dispozicion dhe kontekstualizimin e tij. Komunikata shpjegon se kjo punë nuk do të ndërhyjë  në procesin e shenjtërimit të të Lumit Stepinac, që varet plotësisht nga Selia e Shenjtë.  Parashikohen edhe një sërë takimesh, që duhet të përfundojnë brenda 12 muajsh. Ndërsa takimi i ardhshëm do të mbahet në Zagreb, më 17 e 18 tetor.

Ndonjë dëshmi për të lumin Stepinac

Gjatë jetës së tij, kardinali Stepinac u përpoq shumë për të shpëtuar jetë njerëzore, siç e dëshmon një dokument i përhapur brenda mjediseve të Kishës. Në dokument, kardinali i fton meshtarët t’i mirëpresin, pa kërkuar kurrfarë hollësie për përgatitjen e tyre fetare, hebrenjtë e ortodoksët, në rrezik vdekjeje, që kishin ndër mend të ktheheshin në fenë katolike, për të shpëtuar jetën e tyre. Angazhimi dhe detyra e të krishterit – shkruan - është, në radhë të parë, të shpëtojë jetën e këtyre njerëzve. Kur të kalojë, pastaj, kjo kohë e çmendurisë, mund të rrinë në Kishën tonë ata, që u kthyen me bindje, ndërsa të tjerët, si të ketë kaluar rreziku, do të rikthehen në fenë e tyre”.








All the contents on this site are copyrighted ©.