2016-07-14 00:00:00

Atë Majewski: në Krakov DBR kthehet në shtëpi, pritje e madhe për Françeskun


Mungojnë më pak se dy javë nga fillimi i Ditës Botërore të Rinisë së Krakovit. Të rinj nga mbarë bota po përgatiten për ta jetuar edhe një herë këtë përvojë të madhe të fesë me Papën Françesku, në trojet e Gjon Palit II. I madh, edhe entuziazmi i Kishës e i shoqërisë polake, që pret për herë të parë vizitën e Papës argjentinas. Për të rinjtë dhe për Poloninë e Karol Wojtylës, Françeskun dhe Jubileun e Mëshirës, e akoma, për angazhimin e Radio Vatikanit, që t’ia përcjellë mbarë botës gjithë entuziazmin e rinisë së këtyre ditëve, intervistuam atë Andrzej Majewskin, drejtor i programeve të Radio Vatikanit:

Përgjigje: - DBR-ja “kthehet në shtëpi”. E do të jemi edhe më shumë në shtëpi, sepse në Krakov, në qytetin e Karol Wojtylës, në qytetin e Mëshirës, të lidhur me Shenjtorë si Faustina Kovalska e, pastaj, edhe shumë të  tjerë, si për shembull, Albert Chmielowski. Këtu, në Krakov, në vitin 2002, Gjon Pali II shqiptoi shprehjen e famshme, duke nënkuptuar edhe fjalët e Ditarit të Motër Faustinës, domethënë se pikërisht “prej këndej duhet të dalë shkëndija, që do ta përgatisë botën për ardhjen e fundme të Krishtit”. Gjon Pali II besonte fort se të rinjtë janë e ardhmja e Kishës, e Papa Françesku thotë se të rinjtë janë e sotmja e Kishës, janë Kisha e sotme. Për ne, polakët, është ngjarje tejet e shënuar. DBR-ja rikthehet në Poloni pas 25 vjetësh. Rikthehet në një Poloni rrënjësisht të ndryshuar, me një mori mundësish të reja, por edhe me shumë probleme. Pastaj DBR-ja në Poloni u krijon shumë të rinjve të Evropës Lindore mundësinë ta njohin njëri-tjetrin në familjen e madhe të Kishës. Nuk mund të harrojmë se Dita Botërore e të rinjve është ngjarje feje e jo thjesht takim me bashkëmoshatarët. Të rinjtë e kuptojnë këtë përsosurisht. Kjo përmasë fetare, që shkon shumë përtej ditëve kaluar së bashku, do të jetë tipari më karakteristik i takimin të afërt të Krakovit.

Pyetje: - Papa Françesku, siç pati bërë edhe Gjon Pali II, është shumë kërkues kur u flet të rinjve. E megjithatë, janë dy nga personalitetet më të dëgjuara nga rinia e, të thuash të vërtetën, jo vetëm nga rinia katolike. Pse ndodh kjo, sipas jush?

Përgjigje: - Gjon Pali II nuk deshi kurrë që të rinjtë “të bliheshin”, i ftoi gjithnjë të shkojnë kundër rrymës, e ata e kuptuan shumë mirë atë, që deshi t’u thoshte Papa. Pikërisht në Poloni, Gjon Pali II i përsëriti disa herë fjalët që, të paktën për brezninë time, patën jehonë të pashlyeshme e që shumë nga ne i ruajnë gjithnjë në zemër. Gjon Pali II thoshte: “Duhet të kërkoni shumë nga vetja, edhe kur të tjerët nuk kërkojnë asgjë nga ju”. Mendoj se të rinjtë kanë shumë dëshirë për të bërë gjëra të mëdha, gjëra, që nuk bëhen lehtë, që kushtojnë shtrenjt. Françesku ecën në të njëjtën hulli. Nuk ka frikë të thotë fjalë nganjëherë të ashpra e edhe shumë impenjative, ndoshta shpesh krejt të ndryshme, nga ato që thoshte Gjon Pali II, sepse të thëna në një kohë tjetër, në rrethana të tjera. Për shembull Françesku i fton të rinjtë të kenë kujdes për njerëzit e ligshtë, për njerëzit e trajtuar si hedhurina, i grish për të dalë nga vetja e për t’u nisur drejt periferive. Në fund të fundit, i fton të bëjnë gjëra, që nuk bëhen aspak lehtë e kushtojnë shumë. Çmimi është braktisja e qëndrimeve të sigurta, në të cilat e ndjejmë veten të mbrojtur mirë. Është ftesë për të rrezikuar e për t’u nisur, pak a shumë si Abrahami, drejt së panjohurës.

Pyetje: - Ç’mund t’u japë të rinjve të mbarë botës Dita Botërore e Rinisë, që kremtohet në Jubileun e Mëshirës, e pikërisht në qytetin ku Mëshira, me Shën Faustinën e më pas, me Karol Wojtylën, u duk me gjithë forcën e madhështinë e saj…

Përgjigje: - Prania shpirtërore e Motër Faustinës, ashtu si edhe e Gjon Palit II, do të vihen shumë në dukje që në fillim të kësaj ngjarjeje të madhe. Para se të arrijë Papa Françesku, të martën, më 26 korrik, domethënë një ditë më parë, kryeipeshkvi i Krakovit, kardinali Dziwisz, për shumë vjet  sekretar i posaçëm i Papës Wojtyla, do të kryesojë kremtimin e hapjes së DBR-së, duke përdorur formularin e Meshës në kujtim të Papës Shenjt polak. I gjithë kremtimi do të përqendrohet tek mesazhi i mëshirës, që na  e përcollën Gjon Pali II e Motër Faustina. Pak a shumë si në rastin e Olimpiadave, mbi elter do të vendoset shkëndija e mëshirës, që do t’i shoqërojë të gjitha kremtimet e Ditës. Kjo shkëndijë mëshire do të mbartet me stafetë, e cila do të niset nga Shenjtërorja e Mëshirës Hyjnore, ku ndodhen edhe reliket e Motër Faustinës, e do të përshkojë të gjitha vendet më në shenjë për jetën e Papës Wojtyla, kur ishte në Krakov. Nuk duhet e as mund ta harrojmë se DBR-ja e Krakovit, Jubile i të rinjve,  kremtohet në Vitin Shenjt të Mëshirës. Me një fjalë, nuk do të ketë ndonjë ngjarje tjetër të madhe kushtuar të rinjve, në Romë. Kjo do të thotë se të rinjtë e mbarë botës do të përfitojnë, a mund të përfitojnë, nga frytet shpirtërore të Vitit Shenjt, duke marrë pjesë në ngjarjet jubilare në Krakov, në qytetin e Shenjtorëve të mëdhenj të Mëshirës.   

Pyetje: - Si polak, me ç’sy e shikoni këtë DBR? Cilat janë, sipas jush,  frytet që mund t’u sjellë të rinjve të vendit tuaj, por edhe mbarë shoqërisë polake?

Përgjigje: - Sa herë ka shkelur një Papë në Poloni, e ka sjellë diçka të veçantë. Jo vetëm elementin e festës, por edhe një farë reflektimi, një farë thellimi në kuptimin e jetës së njerëzve e edhe të jetës së Kombit. Ardhja e Gjon Palit II në Poloni, më 1979, ishte e para vizitë papnore në trojet polake. Ati i Shenjtë shkelte në këto troje, kur mbi to rëndonte akoma regjimi komunist. Por Papa ua ktheu polakëve besimin në vetvete. Pastaj, më kujtohet vizita e vitit 1983, kur ishte ende në fuqi ligji i kohës së luftës, e Solidarnosc ishte ilegal. Gjithçka dukej pa shpresë, e megjithatë, Papa foli pikërisht për shpresë. Në vitin 1991, në Poloninë e sapo çliruar nga zgjedha e sistemit shtypës, Papa i porositi polakët të kenë mendjen, ta rujanë lirinë e posafituar e të mos e shpërdorojnë.  Erdhi, pastaj, në Poloni, Papa Benedikti, që foli fjalë shumë të rëndësishme, edhe të ashpra, për priftërinjtë. Na porositi të jemi sa më pranë njerëzve si prijës të vërtetë shpirtërorë e jo vetëm si organizatorë të mirë. Kjo vizitë e Papës Françesku do të jetë e veçantë. Ne kemi nevojë për shumë gjeste konkrete mëshire, duke nisur nga falja e fyerjeve, e fajeve! Polonia sot është e ndarë. Kisha përpiqet t’i mjekojë plagët, ta përtërijë indin shoqëror. Po nuk është aspak e lehtë. Kjo vizitë kryhet në përkim me 1050-vjetorin e Pagëzimit të Polonisë. Kur vendi kremtonte Mijëvjeçarin e krishterimit, në vitin 1966, komunistët nuk e lejuan Papën Pali VI të merrte pjesë në këtë kremtim. Tani, 50 vjet më pas, vjen përsëri Papa, jo më Papa polak, po Papa argjentinas ta kremtojë me ne këtë përvjetor të madh të Pagëzimit. Pastaj, vizita e tij në kampin nazist të Auschwitz e Birkenau: të dy Papët, që vizituan Poloninë, u ndaluan edhe në këto vende tmerri, që bota të mos harrojë sa të këqija mund të sjellë ideologjia, e cila përbuz Zotin e njeriun.

Pyetje: - Kjo DBR do të jetë edhe një sfidë e madhe për komunikimin, një DBR shumë social, edhe më shumë se ajo e Rios… Si po përgatitet Radio Vatikani për këtë ngjarje kaq të madhe?

Përgjigje: - Sigurisht flasim për Ditën e të rinjve, që përdorin një gjuhë tjetër, së cilës duhet t’i përgjigjet edhe Radio Vatikani. Natyrisht, si gjithnjë, do ta shoqërojmë Papën në të gjitha çastet më domethënëse të këtij shtegtimi, duke filluar nga ceremonia e mirëseardhjes. Një ditë para fillimit, do të transmetojmë Meshën e hapjes të Ditës së të rinjve, që do të kryesohet nga kardinali Dziwisz. Pastaj do të jemi kudo! Pas Papës. Në Czestochowa, në Auschwitz-Birkenau, e natyrisht, do t’i ndjekim të gjitha ngjarjet e mëdha të DBR-së. Do të bëjmë transmetime me radiokronika në gjuhë të ndryshme. Të dërguarit tanë do të arrijnë në Krakov para Papës,  për të takuar njerëzit, për t’u treguar të gjithëve si po përgatitet Polonia  për ngjarjen e madhe. Jemi në lidhje të vazhdueshme me organizatorët. Nuk humbasim kohë, ndonëse në Evropë është koha e pushimeve!   








All the contents on this site are copyrighted ©.