2016-07-13 18:10:00

Zoti, shikon, dëgjon, vonon… por nuk harron kurrë. Lumnimi i martirëve shqiptarë


Kemi pritur shumë, prandaj Zoti po na dhuron dy festa të mëdha njëra pas tjetrës: Shenjtnimin e Nënë Terezës e lumnimin e 38 martirëve, viktima  të komunizmit.

Fatbardhë, për të martirizuarit, viti 2016. Pritën shumë. Po Kisha është mësuar të martirizohet, e të presë, me bindjen e plotë se Zoti vonon, por nuk harron kurrë.

Zoti nuk na harroi!

Kemi pritur me shekuj, për të pasur një shenjtore, një figurë të njohur botërisht që, duke qenë bijë e zgjedhur e Krishtit, pohoi para gjithë botës “me gjak jam shqiptare!”.

Kemi pritur me vjet. Më se 70. Vite tragjike, që nisen me luftë e vijuan me martirizim, deri në asgjësimin e plotë - besonin kryqëzuesit - të Kishës katolike në trojet shqiptare. Po kush dinte veç të kryqëzonte, nuk mund ta merrte me mend se Kisha, që ata u munduan ta shkulin – i shtriu rrënjët e veta në dy drejtime, krejt të panjohura për vrasësit e saj: nën dhe, ndër katakombe, ku u detyrua të zbresë, e në qiell, ku u ngjitën shpirtrat e të martirizuarve, që  derdhen gjakun me brohorinë “Rroftë Krishti Mbret!”. E   nisën të ndërmjetësojnë, që pasardhësit e tyre të munduar të jetonin, për ta kremtuar këtë ditë!

E gjithë kjo do të tingëllonte si legjendë sot, po të mos ishin ende të freskëta gjurmët e gjakut të tyre.

Shumë vite kaluan, aq sa ndokush kujtoi se Zoti i kishte, na kishte, harruar.

E kishte harruar motrën imcake, që e kaloi jetën ndërmjet të varfërve më të varfër, duke i kujtuar botës etjen e Krishtit për shpirtra, me lajtmotivin: “Ma keni bërë mua!”. Harruar Atë, që vendi i vet ia mohoi edhe një lot mbi varr të s’ëmës.

E e kishte harruar gjakun e derdhur te Zalli i Kirit, në rrethinat e shkreta të Tiranës e në baltën e kënetave, nga veriu, në jug të Shqipërisë.

E si mund ta kuptonin kryqëzuesit, që s’ngopen kurrë me gjak, se Zoti shikon, dëgjon, vonon… por nuk harron kurrë.  

Ndoshta edhe ata mund të jenë të pranishëm në këtë festë të vonuar, por kurrë të harruar. Janë gjallë e shëndosh, aq sa t’i kujtojnë të torturuarit, të cilët i shanë, i pështynë, i pushkatuan, i varën, duke mos harruar t’i pyesin sa e sa herë: “Hë, ku është Zoti yt!?!”. Ndokush mund të mendojë se do të duhej të shpërbleheshin me të njëtën monedhë! Po jo ne, katolikët. Ne urojmë të jenë të pranishëm në festën e 5 nëntorit. Ngaqë kështu do të binden plotësisht se Zoti ishte aty, në qelitë qelbura, para plotoneve të ekzekutimit… E do të jetë edhe më 5 nëntor, për t’u kujtuar: “Ma bëtë mua!”. Se Zoti është kudo! Se shikoi, dëgjoi, vonoi… por nuk harroi t’i naltojë të pështyrit e të gjakosurit, në nderimet më të larta, që mund të mendojë njeriu: në nderimet e elterit. T’i kurorëzojë me aureolën e martirit,  e cila ia kalon çdo dekorate a urdhëri njerëzor. Sepse është burim drite për gjithë njerëzimin, të cilit i kujton edhe një herë se Zoti shikon, dëgjon, vonon… por nuk e harron kurrë kalvarin e shqiptarëve, të cilët i falën botës një Nënë Terezë, e po i shtojnë aradhet e Kishës katolike me 38  të Lum të rinj!

Kemi pritur shumë, o Zot! Zot, shiko, dëgjo, vono… por mos na harro kurrë!








All the contents on this site are copyrighted ©.