2016-07-13 14:48:00

Ngushëllimet e Papës për vdekjen e imzot Zimowskit


Ndërroi jetë, dje, në Poloni, pak para mesnate, imzot Zygmunt Zimowski, kryetar i Këshillit Papnor për Baritorinë e Punonjësve të Shëndetësisë. Ishte 67 vjeç e i sëmurë prej kohe. Papa Françesku, që e kishte dëgjuar në telefon dje pasdite, për t’i treguar afërsinë e për ta siguruar se lutet për të, shpreh, në një telegram, trishtimin e tij të thellë për humbjen e prelatit, “pas një sëmundjeje të gjatë e të dhimbshme, të cilën e jetoi - shkruan Papa - me frymën e fesë e të dëshmisë së krishterë". Françesku kujton edhe shërbesën bujare të prelatit të ndjerë, duke ia besuar ndërmjetësimit  të së Lumes Mari Virgjër, Mbretëreshë e Polonisë.

I lindur në Kupienin të Polonisë, më 7 prill 1949, imzot Zimowski u shugurua meshtar më 1973. Më 2002 Shën Gjon Pali II e emëroi ipeshkëv të dioqezës polake të Radom. U shugurua më 25 maj nga kardinali i asokohshëm Joseph Ratzinger, prefekt i Kongregatës për Doktrinën e Fesë.

Papa Benedikti XVI e emëroi, në  vitin 2009, kryetar i Këshillit Papnor për Baritorinë e Punonjësve të Shëndetësisë, duke e lartuar në dinjitetin kryeipeshkvnor. Në dhjetor 2014 imzot Zimowski u shtrua në spital, në Varshavë, i prekur nga kanceri në pankreas. Një vit më pas ishte përsëri në vendin e punës, në Vatikan, për t’u rikthyer për herë të fundit në vendlindje. Kështu e përfundoi shtegtimin e tij mbi tokë, prelati, që e deshi dhe e mbrojti aq shumë jetën. I pëlqente t’i kujtonte gjithnjë fjalët e Enciklikës Evangelium Vitae të Gjon Palit II në mbrojtje të kulturës së jetës, kundër “qytetërimit të vdekjes”.  








All the contents on this site are copyrighted ©.