2016-07-13 13:44:00

Aksident hekurudhor në Pulia. Papa lutet për viktimat


Flitet për 27 të vdekur, pasojë e ndeshjes, dje paradite, të dy trenave lokalë në Pulia të Italisë. 50, të plagosurit. “Tragjedi që nuk duhet të kishte ndodhur”, për kreun e shtetit, Sergio Matarella; ndërsa kryeministri italian Renzi kërkon “të sqarohet me fund gjithçka ndodhi”. Në një telegram, Papa siguron se lutet për të vdekurit.

Vijojnë të vijnë nga mbarë bota, mesazhe ngushëllimi, pas aksidentit hekurudhor të djeshëm, pranë Andrias. Papa, në një telegram ngushëllimi, siguron se lutet për të vdekurit, i kërkon Zotit shërim të shpejtë për të plagosurit dhe ia beson mbrojtjes së Virgjërës Mari të gjithë ata, që u prekën thellë nga kjo gjëmë.

Sot paradite nisi, në institutin e mjekësisë ligjore të Barit, takimi me të afërmit, për njohjen e viktimave. Qyteza e Andrias shpalli tri ditë zije. Tani duhet kuptuar pse ndodhi kjo tragjedi. E një përgjigje mund ta japë kutia e zezë e njërit prej trenave. Prokuroria e Tranit duhet të sqarojë natyrën e aksidentit dhe përgjegjësinë e atyre, që e shkaktuan. Pse e kush, pra. Një gjë është e qartë: njëri nga dy trenat ishte pakëz i vonuar.

Kjo tragjedi e re ngjalli shumë diskutime e polemika lidhur me sigurinë  e linjës me një binar e të shtegtimit me tren, në përgjithësi, pas sa e sa polemikave për sigurinë e shtegtimeve ajrore.   








All the contents on this site are copyrighted ©.