2016-07-12 17:56:00

Theresa May, kryeministrja e re e Britanisë së Madhe


Duke filluar nga dita e nesërme, Theresa May do të jetë kryeministrja e re e Britanisë së Madhe. Ministrja aktuale e Brendshme, kandidate e vetme për postin pas tërheqjes së rivales së Partisë Konservatore, vjen pas David Cameron, i cili dha dorëheqjen pas referendumit mbi Brexit. Gruaja e dytë në Downing Street pas Margaret Thatcher, Theresa May-t i duhet të drejtojë të gjitha negociatat, që do ta nxjerrin vendin nga Bashkimi Evropian. Ja mendimi i një gruaje tjetër, kësaj radhe italiane, së cilës i drejtuam mikrofonin. Të dëgjojmë pedagogen e politikës evropiane në qendrën “Jean Monnet” të Universitetit Tor Vergata, Federiga Bindi:

         Theresa May, do të guxoja të thosha se është Angela Merkel angleze: të dyja rreth të gjashtëdhjetave, të dyja bija pastorësh protestantë, të dyja anëtare të një partie konservatore, të dyja të martuara prej kohësh, por pa fëmijë. Dy gra mjaft pragmatike dhe ndoshta ndërmjet tyre do të merren vesh mirë.

         May arrin në pushtet 30 vjet pas Margaret Thatcher. A ngjajnë këto figura?

        Thatcher u bë kryeministre në një kohë kur gratë e kishin të vështirë t’ia arrinin kësaj. Ngjajnë me siguri – por kjo është karakteristikë e të gjitha grave lider në politikë – për nga mbështetja dhe përkrahja e bashkëshortëve të tyre. Megjithatë, Thatcher-it iu desh të luftojë me thonj e me dhëmbë për të qenë lider e Partisë Konservatore britanike; për Theresa May-n, do të thosha se ka qenë më e lehtë. Ajo u bë lider, sepse ndryshuan rrethanat. Gjithashtu, Thatcher është një figurë me më tepër kundërshti e sigurisht nuk e donte Bashkimin Evropian, ndërsa Theresa May ishte në favor të tij gjatë referendumit. Thatcher ishte kundër që ditën e parë:: “I want my money back” (Dua të më kthehen paratë e mia) qe fraza e famshme me të cilën iu paraqit partnerëve evropianë, sapo u zgjodh.

         Sipas jush, si do të veprojë Theresa May për të realizuar të gjitha hapat e Brexit? Është e vërtetë se ajo ishte në favor të qëndrimit në Bashkimin Evropian, por nuk u impenjua dhe aq për këtë.

         Ndoshta, kjo është një nga pikat më të fuqishme në favor të saj: nuk është përkrahëse pa kushte e Brexit, gjë që do të shkaktonte reagime jo të këndshme në Bruksel. Është një person që donte të mbetej në Bashkimin Evropian, por tha edhe – e kjo është shumë e rëndësishme – se “Brexit qe e Brexit do të jetë!”. Pozita e saj në favor të qëndrimit në Bashkimin Evropian, sigurisht, do ta ndihmojë në bisedime.

         Cilat janë reagimet e Evropës pas emërimit të kryeministres së re?

         Reagimet më duken pozitive. Një Evropë që pati frikë se mos do të kishte përballë Johnson, nuk mund të mos jetë e kënaqur që tani ka përballë Theresa May-n. Por, siç tha Merkel: marrëdhëniet e përzemërta në nivelin personal nuk do të ndikojnë në mënyrën e trajtimit të Britanisë së Madhe, sepse Evropës i duhet të mbrojë interesat e veta. Bashkimi Evropian ka deklaruar qartë se qasja në tregun e përbashkët – që do të thotë qarkullim i lirë i mallrave, i shërbimeve, i financave dhe i kapitaleve – duhet të jetë e ndërsjelltë. Prandaj, nga njëra anë, Mbretëria e Bashkuar duhet ta ruajë lirinë e vet, por, nga ana tjetër, dëshiron që njerëzit të qarkullojnë lirisht. Tjetër pikë është mbrojtja: edhe këtu do të nevojitet një farë fleksibiliteti kushtetor që të gjendet mënyra për ta mbajtur Britaninë të lidhur me mbrojtjen evropiane, duke qenë ajo jashtë Bashkimit Evropian.








All the contents on this site are copyrighted ©.