Me 11 korrik Kisha kremton festën e Shën Benediktit, themelues i Urdhrit benediktin e abat, Pajtor i Evropës, i bujqve, speleogëve, inxhinierëve.
Që për njerëzit e sotëm … të jetë i pacenueshëm e i shenjtë ideali i bashkimit shpirtëror
të Evropës e të mos u mungojë kurrë ndihma nga qielli për ta realizuar në praktikë,
e shpallëm Shën Benediktin - Pajtor të Evropës". Me këto fjalë Papa Pali VI, më 24
tetor 1964, nga Montekasino, ku kishte shkuar për të shuguruar rishtas manastirin
e shkatërruar prej bombardimeve aleate të 1944-tës, pikërisht në vendin ku Shën Benedikti
kishte kaluar vitet e fundit të jetës, duke rrezatuar në të gjithë Kontinentin Evropian
mesazhin e tij të përshpirtërisë e të fesë, dha këtë njoftim për shpalljen e Abatit
shenjt të shekullit VI, themeluesit të monakizmit perëndimor, si Pajtor qiellor i
Evropës.
Ndonëse dita e vdekjes së Shenjtit është 21 marsi, Festa e Pajtorit të Evropës kremtohet
sot, sepse marsi përkon me Kreshmët. Gjithsesi murgjërit Benediktinë ia kremtojnë
të dyja datat: atë të vdekjes dhe atë të shpalljes Pajtor i Evropës.
Në letrën apostolike "Pacis Nuntius" të datës 24 tetor 1964, Papa Pali VI shpjegonte
edhe arsyet e kësaj shpalljeje, kërkuar me ngulm nga hierarkia dhe nga mbarë populli
i Zotit, pasi edhe Piu XII e pati kujtuar Shën Benediktin si "Babai i Evropës" dhe
vetë Gjoni XXIII e pati dëshiruar me gjithë zemër këtë ditë.
Ja ç'shkruhet në Letrën e Papës Montini:
"Ndërsa shembej Perandoria Otomane e disa zona të Evropës dukej sikur zhyteshin në
errësirë, ndërsa të tjerat jetonin pa qytetërim e pa vlera shpirtërore, ai, me impenjimin
e tij të palodhshëm, bëri që në këtë Kontinent të muzgët të lindë agimi i një epoke
të re. Ai e bijtë e tij me kryq, libër e parmendë, qenë të parët që çuan progresin
e krishterë ndërmjet popujve të përhapur nga Mesdheu e deri në Skandinavi; nga Irlanda
e deri në rrafshinat e Polonisë.
Me Kryq, domethënë me Ligjin e Krishtit, siguruan qëndrueshmërinë dhe lulëzimin e
rendit të jetës publike e private… duke çimentuar atë unitet shpirtëror evropian,
me forcën e të cilit popuj që flisnin gjuhë të ndryshme, ndjenë se po formonin një
popull të vetëm. Popullin e Zotit.
Me libër, pastaj, domethënë me kulturë, vetë Shën Benedikti, nga i cili shumë manastire
morën emër e forcë, shpëtoi me guxim providencial, në çastin kur trashëgimia humanistike
rrezikonte të zhdukej, traditën klasike të botës së lashtë, duke i përcjellë të paprekur
breznive të ardhshme, kultin e diturisë.
Me parmendë, së fundi, domethënë me kultivimin e arave e nisma të tjera me rëndësi
të dorës së parë për zhvillimin e bujqësisë, ia doli mbanesh t'i shndërronte tokat
djerr në fusha pjellore e kopshte të lulëzuara; e duke bashkuar lutjen me punën materiale,
sipas motos së tij të famshme "ora et labora" - "lutu e puno!" fisnikëroi e lartoi
djersën që rrjedh nga balli i ndershëm.
Shën Benedikti ndikoi fuqimisht mbi fatet e Kontinentit të Vjetër. Me urdhrin e tij
murgar, “Patriarku i monakizmit perëndimor”, më pas bashkëpajtorë i Evropës, me Çirilin
e Metodin, ushtroi një ndikim të pallogaritshëm në përhapjen e krishterimit në të
gjithë Kontinentin. Prandaj Shën Benedikti përbën një pikë themelore referimi për
bashkimin e Evropës, duke na kujtuar fuqimisht se nuk mund të hiqet dorë nga rrënjët
e krishtera të kulturës së saj e të qytetërimit të saj. Ti lutemi Shën Benediktit
të na ndihmojë ta ruajmë të patundur qendërsinë e Krishtit në jetën tonë. Ai duhet
të zërë vendin e parë në mendimet tona e në veprimtaritë tona” .
Pra Shën Benedikti, Abat mbetet tepër aktual. Si dikur me dritën e qytetërimit të
krishterë ia mbërriti t'i davaritë retë e zeza e të rrezatojë dhuratën e paqes, kështu
edhe sot ai i prin jetës evropiane, duke ndërmjetësuar që Evropa të zhvillohet, të
rritet e të përfshijë ndër kufijtë e vet të gjithë popujt që i përkasin e që dëshirojnë
të jetojnë sipas motos "ora et labora" - me Kryq, me pendë e parmendë!
All the contents on this site are copyrighted ©. |