2016-07-11 15:55:00

Fjala Srebrenicë: mohimi, fjala e fundit e një genocidi


11 korriku mbahet mend për genocidin e Srebrenicës, gjatë të cilit u vranë mijëra civilë në krimin më të rëndë kundër njerëzimit në Evropë, pas Luftës II Botërore. Që prej 20 vjetësh, Srebrenica ka hyrë në grupin e atyre fjalëve, që sapo t’i përmendësh, mendja të shkon menjëherë në ngjarjet e lidhura me atë vend. Të tilla janë Aushvic, Katin, Guernika: mjafton emri dhe kuptohet se për çfarë është fjala. Srebrenica evokon imazhe me familje të shkatërruara, me njerëz të ngarkuar në autobuzë e kamionë me destinacion të panjohur, me terror, me burra të lidhur e të pushkatuar, vrarë metodikisht mbi bazën e identitetit, me zinë e rreth 30 mijë grave boshnjake: nëna, nuse, bija e motra, secila prej të cilave ka humbur ndonjë familjar në genocidin e Srebrenicës. Boshnjakët e vrarë qenë mëse tetëmijë vetë.

Plagë, akoma e hapur

         Por dhimbjen më të madhe e sjell edhe sot pasiguria për fatin e njerëzve të zhdukur. Shumë gra të Srebrenicës, akoma janë në kërkim të bijve, etërve, burrave e kushërinjve, për të cilët nuk kanë as varr. Sot, pikërisht në përvjetorin e masakrës, dhjetra mijëra vetë morën pjesë në varrosjen e 127 viktimave të reja të identifikuara kohët e fundit dhe përkujtuan shfarosjen e 8372 myslimanëve ndërmjet 11 e 13 korrikut të vitit 1995. E që dje arritën në Potoçari edhe 7 mijë pjesëmarrësit e Marrshimit për Paqen, që përshkuan në anën e kundërt, rrugën e 15 mijë burrave të Srebrenicës, në ikje drejt Tuzlës, ku mbërritën pak vetë.

         Ajo që ndodhi në Srebrenicë nuk diskutohet. Është vërtetuar e përcaktuar si genocid nga dy gjykata ndërkombëtare të pavarura: Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe Gjykata Penale Ndërkombëtare për krimet e luftës në ish-Jugosllavi. Pesë serbo-boshnjakë janë dënuar e akoma vijon procesi për liderin e tyre, Radovan Karaxhiq dhe për gjeneralin Ratko Mlladiq. Prandaj, mohimi i genocidit nuk mund t’i ndryshojë faktet.

Mohimi i genocidit nuk u bën mirë serbëve

         E megjithatë, gjatë 20 vjetëve të fundit, serbo-boshnjakët dhe Serbia s’kanë bërë tjetër, veçse janë përpjekur ta mohojnë genocidin, t’i klasifikojnë ndryshe ngjarjet e Srebrenicës, sikur të ishte një krim i rëndomtë e jo diçka e organizuar dhe e paramenduar, mbi bazën e ideologjisë së nacionalizmit serb, ashtu siç është dokumentuar gjerësisht gjatë proceseve në Gjykatat Ndërkombëtare. Kjo është bërë e mundur sot, sepse në të dyja anët e lumit Drina, janë në pushtet të njëjtët njerëz, që bënin pjesë në aparatin politik serb në kohën e genocidit. E nuk mendojnë se mohimi i tij u bën keq edhe vetë serbëve. Ky qëndrim i ka vënë ata nën një dritë të keqe, kompromenton reputacionin e tyre në nivel ndërkombëtar dhe i dëmton marrëdhëniet e tyre me institucionet e ndryshme botërore. Por, sidomos, pranimi i fajit është çështje qytetërimi e mëshira për viktimat përfaqëson minimumin e nevojshëm.

(marrë me shkurtime nga “Fjala Srebrenicë”, artikull i Azra Nuhefendić në http://www.balcanicaucaso.org)








All the contents on this site are copyrighted ©.