2016-07-10 13:03:00

Papa për 200-vjetorin e Argjentinës: të mbrohet nga çdo tip kolonizimi


Papa Françesku i drejtoi një Letër kryetarit të ipeshkvijve argjentinas, imzot José Maria Arancedo, me rastin e kremtimit të 200-vjetorit të pavarësisë së Vendit. Ishte përshëndetje e mesazh ipeshkvijve, autoriteve kombëtare dhe mbarë popullit argjentinas.

“Kremtojmë dyqind vjetët e udhës së Atdheut - shkruan Papa - dëshirat dhe etja e të cilit për vëllazërim projektohen përtej kufijve të Vendit: kah Atdheu i Madh, ai, që e ëndërruan San Martín e Bolivari. Ky realitet na bashkon në një familje me horizonte të hapta e sinqeritet vëllazëror. Këtë Atdhe të Madh Zoti e ruajtë, e bëftë më të fortë, më vëllazëror, e mbrojtët nga çdo tip kolonizimi”.

Me rastin e këtij përvjetori, Papa thekson se ndjehet pranë gjithë atyre, që vuajnë. Pranë “të sëmurëve, njerëzve që kalojnë çaste të vështira, të burgosurve, të vetmuarve, të papunëve, viktimave të trafikut të qenieve njerëzore e të shfrytëzimit të njeriut; të miturve të shpërdoruar e shumë e shumë të rinjve, që vuajnë për shkak të plagës së drogës. Janë bijtë më të  shporuar të Atdheut:

“Po, bij të Atdheut. Në shkollë – kujton Papa – na patën mësuar të flasim për Mëmëdheun, na patën porositur ta duam Mëmëdheun. Kështu rrënjoset kuptimi patriotik i përkatësisë: në dashurinë për Mëmëdheun. Ne, argjentinasit, përdorim një shprehje të guximshme e  piktoreske njëherësh, kur flasim për njerëz pa skrupuj: ‘Ky është i zoti ta shesë edhe t’ëmën!’. Ndonëse e dimë dhe e ndjejmë deri në fund të zemrës se Nëna nuk mund të shitet, nuk mundet… e nuk mund të shitet as Mëmëdheu”.

Mbi bazën e këtyre dyqind vjetëve - vijon Papa - duhet  ta vijojmë udhën, posaçërisht të moshuarit e të rinjtë.

E Françesku uron që të moshuarit të ëndërrojnë, të rinjtë të profetizojnë,  e Argjentina të jetë e lirë nga çdo kolonizim.








All the contents on this site are copyrighted ©.