2016-07-09 18:16:00

Papa: dallim i plotë ndërmjet atij, që drejton gjënë e Selisë së Shenjtë e atij që e mbikqyr


Papa Françesku miratoi një Motu Proprio për çështjet ekonomiko - financiare, duke dalluar plotësisht e pa asnjë mëdyshje, atë që drejton drejtpërdrejt gjënë e Kishës, nga ai, që e mbikqyr veprimtarinë drejtuese.

Pasuritë e përkohshme që ka Kisha - shkruan Papa në Motu Proprio - i duhen për të vënë në jetë qëllimet e saj, domethënë, për kultin hyjnor, mbështetjen e ndershme të klerit, apostullimin, veprat e dashurisë së krishterë e, posaçërisht, për t’u shërbyer të varfërve. Kisha, si pasojë,  duhet t’i kushtojë, me përgjegjësi të plotë, vëmendjen më të madhe mbarështimit të burimeve të saj ekonomike, që të jenë gjithnjë në shërbim të këtyre qëllimeve. E për këtë arsye “Selia e Shenjtë e ndjek me vëmendje të posaçme vigjilencën mbi mbarështimin e gjësë së saj”.

Në procesin e reformës në këtë fushë, Papa themeloi, shkurtin e kaluar, tri organizma të reja: Këshillin për Ekonominë, Sekretarinë për Ekonominë dhe Zyrën e Revizorit të Përgjithshëm, Statutet e të cilave u miratuan ad experimentum, “me vetëdijen se sistemi i ri po realizohej përmes verifikimeve të mëtejshme”. Prej këndej u pa arsyeshme që organizmat  kontrolluese të ndaheshin nga ato, që kontrollohen. Motu Proprio, ndërmjet tjerash, shfuqizon nenin 17 të Statutit të Sekretarisë për Ekonominë, në të cilin pohohej se kjo Sekretari kryen shërbimet administrative dhe teknike të nevojshme për veprimtarinë e zakonshme të dikastereve të Selisë së Shenjtë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.