2016-07-07 18:39:00

Lampeduza, 3 vjet më parë vizita e Françeskut. Nicolini: ditë historike


Sot presidenti i Senatit italian, Pietro Grassi, së bashku me kryebashkiaken e Lampeduzës, Giusi Nicolini dhe autoritete të tjera civile, ushtarake e fetare, hodhën në det një kurorë me lule në kujtim të emigrantëve të zhdukur ujërash. E nesër, 8 korrik, mbushen tri vjet nga vizita e Papës Françesku në Lampeduzë, cak i shtegtimit të tij të parë apostolik. Papa hodhi në det një kurorë me lule e u takua me disa emigrantë në Molo a Punta Favarolo, për të kremtuar, më pas, dhe Meshën në fushën sportive të Lampeduzës. Tri vjet pas shtegtimit të Papës në ishullin, që për Mesdheun  është Portë e Evropës, intervistuam kryebashkiaken e Lampeduzës, Giusi Nicolini:

Përgjigje: - Si kryetare e bashkisë, kujtoj një ditë, që mbeti në historinë e ishullit tim, e edhe në atë të politikës së Mesdheut. Nuk do ta kishim parë kurrë Evropën, organizatat evropiane, duke vënë në agjendë edhe temën e emigracionit, nëse Papa Françesku nuk do të kishte arritur në Lampeduzë asokohe, me një emocion të paparë ndonjëherë, e me vetëdijen se, më në fund, punët do të ndryshonin. Për mua është një nga kujtimet më të bukura, jo vetëm në detyrën time si kryetare bashkie, por në gjithë jetën time.

Pyetje: - Çfarë ka ndryshuar në Lampeduzë kto tri vjet? Papa pati folur për globalizimin e indiferencës, për një shoqëri, që ka harruar të qajë….

Përgjigje: - Unë them se punët kanë ndryshuar shumë që nga vizita e Papës Françesku, edhe pse politikat evropiane pak kanë ndryshuar, e po aq pak, edhe normat e rregullat e Dublinit, të cilat nuk janë modifikuar ende. Por ndërkaq, ajo që ka ndryshuar, është se Papa ia kujtoi mbarë botës të vdekurit, i përcolli idenë se këta të vdekur, të varrosur në fund të detit,  janë njerëz e i dha edhe një emër cinizmit të madh, që karakterizon jo vetëm politikën, por gjithë jetën e kohëve tona.  








All the contents on this site are copyrighted ©.