2016-07-06 11:01:00

Selia e Shenjtë: paqe ndërmjet izraelitëve e palestinezëve


Për të siguruar paqen, izraelitët e palestinezët duhet të kenë më shumë guxim e të rifillojnë bisedimet e drejtpërdrejta, duke hedhur poshtë çdo manipulim të fesë për të përligjur urrejtjen e dhunën: këtë pohoi në OKB, imzot Jurkovič, kreu i delegacionit vatikanas në Konferencën  ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara, në mbrojtje të paqes ndërmjet izraelitëve e palestinezëve.

Gjithnjë më e vështirë çështja e Lindjes së Mesme

Çështja palestineze mbetet pa përgjigje të kënaqshmne që nga lindja e Kombeve të Bashkuara, sepse me dhjetra vjet bisedimesh nuk arritën të çojnë në krijimin e një shteti palestinez. U nis nga ky realitet, fjalimi i imzot Ivan Jurkovič. Prelati vlerësoi Komitetin e OKB-së sepse, duke organizuar këtë konferencë, me synim që të gjinden rrugë të reja për ta  mbështetur procesin e paqes, mbron të drejtat e pashkelshme të popullit palestinez. Ndërkaq bëhet gjithnjë më i vështirë trajtimi i çështjes, për shkak të mungesës së bisedimeve të mjaftueshme dhe të spirales së dhunës. Krizë, kjo, që u rëndua edhe më shumë vitet e fundit, nga konflikte të tjera e, posaçërisht, nga tragjedia siriane.

Selia e Shenjtë, për rrugëzgjidhjen e dy shteteve 

“Selia e Shenjtë ka favorizuar gjithnjë rrugëzgjidhjen e krijimit të dy shteteve, pohoi imzot Jurkovič. Benedikti XVI, duke vizituar Tokën Shenjte në vitin 2009, pati nënvizuar se Izraeli ka të drejtë të ekzistojë e të jetojë në paqe, ashtu si palestinezët kanë të drejtë të kenë një atdhe të pavarur e sovran. Në vitin 2014, Papa Françesku pati pohuar të njëjtin parim të “së drejtës së dy shteteve për të ekzistuar e për të jetuar në paqe e siguri brenda kufijve ndërkombëtarë të njohur universalisht”.

Themelor, roli i shoqërisë civile

Për vëzhguesin e përhershëm të Selisë së Shenjtë, pra, konflikti izraelito-palestinez është gjithnjë më i papranueshëm. Selia e Shenjtë mendon se procesi i paqes mund të shkojë përpara vetëm me bisedime të drejtpërdrejta ndërmjet palëve, të mbështetura edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Prej këndej u bëhet thirrje si izraelitëve, ashtu edhe palestinezëve, të marrin vendime të guximshme. Të dy popujt kanë vuajtur edhe tepër, duke u nisur nga një këndvështrim i gabuar, sipas të cilit, ndryshimet ndërmjet tyre mund të zgjidhen vetëm me forcë. Ndërsa sipas Selisë së Shenjtë, paqja nuk mund të sigurohet nëse pajtimi e respekti reciprok nuk i shoqërojnë rrugëzgjidhjet politike. Prandaj Delegacioni i Selisë së Shenjtë e vlerëson qëndrimin e Konferencës ndaj rolit të shoqërisë civile. Lindja e Mesme, djep i tri feve monoteiste, është shumë e përshtatshme për promovimin e kësaj pjesëmarrjeje.

Të fuqizohet lidhja ndërmjet diplomacisë formale e asaj informale, bazuar mbi fenë

Së fundi, imzot Jurkovič kërkoi të forcohet lidhja ndërmjet diplomacisë formale e asaj informale, bazuar mbi fenë dhe theksoi me forcë se duhen hedhur poshtë të gjitha format e manipulimit të fesë: detyra kryesore e feve është t’i kundërvihen kudo konfliktit. Prej këndej, Selia e Shenjtë përsërit thirrjen drejtuar të gjithë liderëve fetarë për t’i thënë jo dhunës e për të kryer detyrën që kanë ndaj paqes!

 

 

 

 








All the contents on this site are copyrighted ©.