2016-07-06 12:11:00

Papa, shtegtarëve varfanjakë: lutuni për ata, që nuk kanë mëshirë


Papa priti sot, në Sallën Pali VI, në Vatikan, pjesëmarrësit në një shtegtim skamnorësh, ardhur nga Dioqezat franceze të Provincës së Lionit, kryesuar nga kardinali Philipe Barbarin. Nisma u organizua nga Miqtë e Atë Joseph Wresinski-t, me rastin e njëqindvjetorit të lindjes së meshtarit, që ia kushtoi gjithë jetën skamnorëve.

Maria, Jozefi e Jezusi ikin në Egjipt të varfër, të munduar, “por atje ishte Zoti”. Papa rikujtoi çaste të vështira të jetës së Krishtit, për të shpjeguar se edhe vetë Zoti e provoi ç’do të thotë përbuzje njerëzore.  “Kur t’ju takojë ta provoni gjithë këtë - u tha Papa të varfërve – mos harroni se e ka provuar edhe Jezusi, ashtu si ju. Jezusi i vuri gjithnjë në krye të vendit të varfërit e Kisha,  e cila do atë, që deshi Krishti, nuk mund të ketë paqe derisa t’i arrijë të gjithë ata, që provojnë padrejtësisht përbuzjen njerëzore:

“Në zemër të Kishës ju na krijoni mundësinë për ta takuar Jezusin, sepse na flisni për Të  jo aq me fjalë, sa me gjithë jetën tuaj”.

Të varfërit dëshmojnë edhe me gjeste të vogla. Papa kujtoi më pas, atë Joseph Wresinskin, themelues i ATD Bota e Katërt, për të nënvizuar se duhet nisur nga jeta e përbashkët e jo nga teoritë abstrakte:

“Teoritë abstrakte na çojnë tek ideologjitë e ideologjitë na nxisin ta mohojmë se Zoti u bë njeri, njëri nga ne! Sepse është jeta e jetuar me të  varfërit, ajo që të shndërron, të kthen në rrugën e Zotit”.

Françesku u ndalua edhe tek puna e vullnetarëve të Shoqatës Bonne Nouvelle-Quart Monde, e grupit Bartimée dhe vëllazërisë së Pierre D’Angle, duke nënvizuar se vullnetarët krijojnë rreth të varfërve një bashkësi e kështu ua kthejnë përsëri identitetin. Fjalimi i Papës u përqendrua i tëri tek dashuria e Zotit për të varfërit:

“Zoti i ndreq të gjitha padrejtësitë, i ngushëllon të gjithë të munduarit. Të varfërit janë dëshmitarë të Krishtit, janë thesari i Kishës, thoshte Shën Lorenci”.

E Papa kujtoi, më pas, edhe fjalët e Jezusit “Lum të varfërit” e “mjerë të pasurit, hipokritët”. Më pas u besoi të varfërve një mision:

“Ju ngarkoj një mision, të luteni për ta, që Zoti t’ua shndërrojë zemrën. Ju kërkoj edhe të luteni për fajtorët e varfërisë suaj, që të pendohen dhe të bëjnë kthesë”.

Papa i ftoi gjithë besimtarët të luten për të pasurit, që nuk kujtohen se tek porta e tyre janë një mori lazrash. E për priftërinjtë dhe levitët, që “duke e parë njeriun gjysëm të vdekur në mes të udhës, kalojnë pa e kthyer aspak kokën mbrapa, sepse nuk kanë mëshirë”. Së fundi, u kërkoi të varfërve të qeshin me gjithë zemër me këta njerëz:

“Nëse e bëni këtë - theksoi - në Kishë do të ketë gëzim të madh, e gëzim do të ketë në zemrat tuaja e në Francën e dashur”.

E dashuria e Papës për të varfërit u duk edhe më qartë në fjalët e gjestet, kur i përshëndeti një nga një të pranishmit, u ndalua për të folur me ta, i përqafoi e, sidomos, i dëgjoi!








All the contents on this site are copyrighted ©.