2016-07-06 11:12:00

Mesazhi i Papës për festën e Shën Maria Goretti-t “Dëshmitare e faljes”


“Duke ndjekur shembullin e Marietës, është koha e rikthimit tek themelorja, koha për të marrë mbi vete ligështitë dhe vështirësitë e vëllezërve tanë”. Kështu shkruan Papa Françesku në një mesazh drejtuar dioqezës Albano e Latina-Terracina-Sezze, toka të lidhura ngushtë me emrin e Maria Goretti-t, Vashës shenjte, që vdiq më 6 korrik 1902, në moshën e njomë 12 vjeçe, për të shmangur rrezikun e dhunimit. Kisha e përkujtoi Marietën sot, por kremtimet, në prag të festës së saj liturgjike nisën që në fund të qershorit, me një shtegtim nate dhe me meshën e kremtuar në vendin e martirizimit.

Vasha shenjte e fali vrasësin e saj

Janë dy vendet, që e kujtojnë vashën, flijuar ende e parritur. Marieta, siç e thërrisnin të gjithë e si e quan edhe Papa në mesazh, tashmë pushon në paqe në Nettuno, pranë Romës, në Kishën e Zojës së Hireve. E Papa e quan edhe dëshmitare të faljes, duke kujtuar se vasha, në sa po jepte shpirt, e fali kriminelin, që ia shkurtoi jetën, me fjalë që të kujtojnë Krishtin në kryq: “E fal e dëshiroj të jetë me mua në Parajsë”.

“Falja është shprehja më e dukshme e dashurisë përdëllyese”- nënvizon Papa në mesazh. 

Dy Maritë

Na kujton një Mari tjetër, Maria Goretti, Marie Tucin, stigmatinen shqiptare, që vuajti shumë më tepër se vasha italiane, për të shkuar te Zoti i saj, e papërlyer. Maria, e vetmja femër në listën e  martirëve shqiptarë, që do të lumnohen së shpejti, jetoi e vdiq në tortura të pashembullta, duke i falur vrasësit e saj katilë.  E duke shtuar, në këtë vit të lum për shqiptarët, në listën e shenjtorëve, emrin e saj, menjëherë pas emrit të Nënë Terezës. Shën Tereza  e vogël-e madhe dhe  e Lumja Mari janë dy dhurata tejet të çmuara të Zotit, shqiptarëve, që kanë aq shumë nevojë për ndërmjetësim.








All the contents on this site are copyrighted ©.