2016-07-04 13:11:00

Papa gazetës La Nacion: Benedikti XVI, revolucionar. Asnjë problem me Macrin


“Benedikti XVI ishte revolucionar. Dorëheqja e tij qe akti i fundit i qeverisjes”: kështu shprehet Papa Françesku në një intervistë dhënë së përditshmes argjentinase “La Nacion”. Gjatë bisedës, Ati i Shenjtë prek tema të posaçme, që kanë të bëjnë me vendlindjen e tij, duke ripohuar se nuk ka asnjë problem me presidentin Macri.

Dorëheqja e Benediktit XVI nuk ka të bëjë me arsye personale

Ishte e martë, 28 qershor, kur Papa i dha intervistën gazetës argjentinase “La Nacion”. E kjo ishte pikërisht dita, në të cilën Benedikti XVI kremtonte publikisht 65 vjetët e shugurimit meshtarak, “Revolucinar” - e quan Papa  Bergoglio. - “Bujaria e tij ishte e pakrahasueshme. Dorëheqja e tij, që i nxori në pah të gjitha problemet e Kishës, nuk kishte të bënte fare me çështje personale. Ishte akt qeverisjeje. I fundmi akt i qeverisjes së tij”. Lidhur  me gjendjen shëndetësore  të Papës së nderit, Françesku nënvizon: “Ka probleme kur lëviz, po mendja e kujtesa e tij janë të paprekura, të përsosura”.

Asnjë problem me Macri-n, nuk më pëlqejnë konfliktet

Pastaj intervista zhvendoset mbi realitetin e Argjentinës, posaçërisht mbi marrëdhëniet ndërmjet Papës e Presidentit Mauricio Macri, marrëdhënie që, në klimën politike të Argjentinës, hamendësohen të akullta, indiferente. Po Françesku pohon: “Nuk kam asnjë problem me presidentin Macri. Nuk më pëlqejnë konfliktet. Macri më duket njeri i familjes së mirë, fisnik”. Papa kujton, më pas, se ka pasur një ndeshje me të në të kaluarën, por vetëm një herë, në Buenos Ajres, gjatë kohës kur Macri ishte kryeqeveritar  i qytetit  e Bergoglio, kryeipeshkëv. Një herë e vetme, në gjithë atë kohë, është mesatare shumë e ulët - nënvizon Papa. – Problemet e tjera - shton -  u diskutuan e u zgjidhen privatisht, e karakteri rezervat i këtyre bisedimeve u respektua nga të dyja palët. Nuk kam kurrfarë qortimi personal për t’i bërë presidentit Macri, pohoi përsëri Papa.

Audienca me Hebe de Bonafini, lidere e “Nënat e Plaza de Mayo”

Papa i përgjigjet, pastaj, një pyetjeje lidhur me pritjen në audiencë të Hebe Bonafinit: gruaja është lidere e degës më të rreptë  të “Madri di Plazza de Mayo” e, në të kaluarën, e kritikoi Papën Françesku, duke e akuzuar, pa të drejtë, për bashkëpunim me regjimin ushtarak. Gruaja, pastaj, e pranoi publikisht se kishte gabuar. E, prej këndej, shkoi tek Papa për t’i kërkuar falje. Ajo - sqaroi Françesku - më lypi falje e unë e fala, “sepse falja nuk mund t’i mohohet askujt”. Është grua - shtoi - së cilës ia vranë dy djemtë. E unë përkulem para gjithë kësaj vuajtjeje. Nuk më shqetësojnë aspak  fjalët, që ka thënë për mua. Ndonëse e di se ka thënë fjalë të tmerrshme në të kaluarën.

Salla e Shtypit e Vatikanit, e vetmja zëdhënëse e Papës

Lidhur me zërat mbi praninë, në Argjentinë, të një zëdhënësi vatikanas të ndryshëm nga Salla e Shtypit, Françesku shpjegon: “Nuk ka zëdhënës tjetër zyrtar, as në Argjentinë e as në vende të tjera. Po e përsëris: Salla e Shtypit e Vatikanit është zëdhënëse e vetme e Papës”. Një pyetje tjetër, lidhur me Scholas Occurrentes, Fondacion privat, i njohur nga Selia e Shenjtë, lindur në Buenos Ajres më se 15 vjet më parë me nxitjen e kryeipeshkvit të asokohshëm Bergoglio, impenjuar në formimin e të rinjve. Kohët e fundit Papa i ftoi drejtuesit e organizmit të mos pranojnë  para, si dhuratë nga ana e qeverisë.

Scholas Occurrentes

Po ky nuk ishte vendim kundër qeverisë Macri - nënvizon Papa - ky interpretim është absolutisht i gabuar. Nuk nënkuptoja absolutisht qeverinë. Drejtuesve, me shumë dashuri, u thashë vetëm t’i shmangeshin gabimeve të mundshme në drejtimin e Fondacionit. Vijoj të besoj - shpjegon Papa - se nuk kemi të drejtë t’i kërkojmë para qeverisë argjentinase, që ka një mori problemesh për të zgjidhur.

Dëshiroj një Kishë të hapur, të aftë për të kuptuar

Së fundi, duke iu përgjigjur një pyetjeje për “ultrakonservatorët e Kishës”, Papa Françesku pohon: “Ata bëjnë punën e tyre, unë timen”. Unë dëshiroj një Kishë të hapur, me aftësi për të kuptuar, që t’i shoqërojë familjet e plagosura. Ata thonë jo për gjithçka. Unë vijoj të ec drejt në rrugën time, pa shikuar majtas as djathtas. Nuk pres koka! Nuk më ka pëlqyer kurrë ta bëj këtë. E pohoj përsëri: nuk i dua ndeshjet. Gozhdat shkulen duke i tërhequr nga lart. Ose lihen mënjanë, për pushim, kur vjen mosha e pensionimit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.