2016-07-04 14:50:00

Iraku në zi për sulmet në Bagdad: 213 të vdekur, 25 fëmijë


Lidhja Arabe dhe SHBA-të dënuan atentatet, që gjakosën, të diel,  Bagdadin, duke shkaktuar të paktën 213 të vdekur, nga të cilët, 25 fëmijë e më se 200 të plagosur. Shteti i vetëshpallur Islamik e pranoi autorësinë e atentatit, duke pohuar se synonte të godiste, me paramendim, objektivat shiite. 

Mbi atentatet më të përgjakshme të 2016-tës, rëndon fort pesha e përçarjeve etnike ndërmjet shiitëve e sunnitëve, të nxitura edhe nga Shteti Islamik. Në një komunikatë të Kalifatit, theksohet se në shënjestër të  sulmeve, që goditën zonën tregtare të Bagdadit në orët e para të së dielës,  ishin shiitët. Në mënyrë të veçantë,  lagjja Karada, përplot me familje, që po blinin aty ushqimet e nevojshme për kremtimin e fundit të Ramazanit. Kryeministri irakian Haidar al Abadim dekretoi tri ditë zije dhe shkoi personalisht në vendin e shpërthimit, ku popullsia kishte kërkuar prej kohësh më shumë siguri.

Qeveria e Bagdadit, kryesisht në dorë të shiitëve, para një jave rimori nën kontroll Falluzhën, fortesë e sunnitëve dhe e Is-it, me ndihmën e padaranëve iranianë dhe të milicive shiite vendase. Gjatë muajve të fundit, Shteti Islamik humbi disa lokalitete, ndërmjet të cilave, qytetin Ramadi dhe zonën e gjerë të Anbar. Tani kontrollon vetëm 14 % të territorit irakian. Por duhet pasur mirë parasysh se këto humbje nuk e kanë dobësuar aftësinë e xhihadistëve për të goditur përtej vijave të frontit. Ndërkaq qeveria e Irakut mbështetet nga Lidhja Arabe dhe SHBA-të. “Do të vijojmë t’i zhdukim strehët e sigurta të Is në Siri e Irak, e edhe t’i çrrënjosim rrjetet e tyre globale” - pohohet në një notë të departamentit të Shtetit amerikan.








All the contents on this site are copyrighted ©.