2016-07-02 13:22:00

Letra e Papës për 1700 vjetorin e Shën Martinit të Turit


Është shpallur sot Letra e Papa Françeskut drejtuar kardinalit Dominik Duka, kryeipeshkëv i Pragës, i dërguar papnor në Kremtimet solemne Eukaristike që do të mbahen në Szombathely, në Hungari, më 9 korrikun e ardhshëm, me rastin e 1700-vjetorit të lindjes së Shën Martinit nga Turi, që ndodhi në këtë rajon hungarez

“Shën Martini i Turit – shkruan Papa Françesku – me të drejtë mund të quhet ati i të varfërve”: e vërtetë, akoma kur nuk ishte i krishterë, “sillej si kandidat i denjë për Pagëzim në saje të veprave të tij të bamirësisë: u ndihmonte të sëmurëve që vuanin, u ndihmonte atyre që ishin në ngushticë e fatkeqësi, ushqente nevojtarët, vishte të zhveshurit, nuk ruante asgjë për vete nga pagesa ushtarake, përveç asaj që i shërbente për mbajtjen e përditshme. Qysh atëherë ishte dëgjues jo i shurdhët ndaj udhëzimeve të Ungjillit e nuk kujdesej për nesër” (Sulpicio Severo, Jeta Sh. Martinit, 2,8).

Papa evokon, në letër, atë ditë të acartë dimri të shekullit IV, kur Martini, ushtar i Perandorisë Romake në Galli, takoi te porta e qytetit  Amiens një të varfër të zhveshur që kot u lutej njerëzve të kishin mëshirë për te: të gjithë kalonin përtej pa u kujdesur e ndalur fare. Martini, përkundrazi, pati dhembshuri: me shpatë e ndau mantelin e vet përgjysmë, duke ia dhuruar të varfrit njërën pjesë. Papa Françesku – ta kujtojmë – u dhuron shpesh krerëve të Shteteve e të qeverive, që vijnë për vizitë në Vatikan, një medalje që paraqet gjestin e Shenjtit për të kujtuar nevojën e promovimit të të drejtave dhe të dinjitetit të të varfërve.

Martini – shkruan Papa – pasi u konvertua në fenë e krishterë, u bë “ushtar i palodhur i Krishtit” duke kumtuar e dëshmuar Ungjillin në vende evropiane. Për këtë, Papa Françesku uron që kremtimi i këtij përvjetori të mund të favorizojë, sipas shembullit të Shenjtit, ungjillëzimin e kontinentit dhe një vëmendje gjithnjë e më të madhe ndaj të varfërve.

Për shën Martinin thuhet se ishte: ushtar me zor, ipeshkëv për detyrë, murg për vullnet. I lindur në Panoni (Hungari) prej një tribuni, ndoq karrierën ushtarake në radhët e Rojeve të Perandorisë. Fëmijërinë e kaloi në Paví të Italisë e pastaj, si ushtar, shërbeu në Francë. Mbasi u pagëzua, u vu nën drejtim shpirtëror të Shën Hilarit (339).

La karrierën ushtarake e, pak mbrapa, themeloi të parin kuvend rregulltarësh pranë Puatjë. Si u shugurua meshtar, pas vdekjes të ipeshkvit të Turit (372) u zgjodh ipeshkëv i asaj selie. Si bari i këtij dioqeze u bë apostull, mësues e bamirës i të gjithëve, posaçërisht i të varfërve e i fshatarëve. Me ndihmën e murgarëve të vet, ndihmoi fuqimisht shtresat e ulta të katundarëve e të barinjve dhe i dha shkas përparimit shoqëror të vendit e të Galisë mbarë. Vdiq në moshë të shtyrë, në vitin 397.

Është i pari shenjt jo martir i nderuar në altar prej Kishës. Ikonografia e paraqet gati gjithherë mbi kalin e vet duke prerë me shpatë mantelin e tij, për të mbuluar një të varfër, që dridhej rrugës prej së ftohtit. Kisha i ftoi besimtarët të ndjekin shembullin e tij, t’i lënë mënjanë interesat personale e të punojnë me pasion të vërtetë për të mirën e përbashkët. Një pasion i tillë e shtyu, mase 1700 vjet më parë, ushtarin e Panonisë së lashtë, Martinin, ta kuptonte e ta jetonte në mënyrë krejt të jashtëzakonshme karrierën ushtarake.

Ishte krishterimi që e mësoi t’i respektonte e t’i mirëkuptonte të gjithë, të sillej me shërbëtorin e vet si me një vëlla e të largohej nga dëfrimet vulgare.  E krishterimi e mësoi edhe ta ndante mantelin e vet me një varfanjak, që dridhej nga e ftohta – gjest që e bëri një nga shenjtorët më të nderuar në Evropë. Ky gjest ka një logjikë të përcaktuar. Është logjika që të shtyn ta ndash gjithçka me tjetrin, në të cilën gjen shprehjen dashuria e vërtetë për të afërmin.

Shën Martini na ndihmoftë të kuptojmë se vetëm përmes impenjimit të përbashkët për të mbështetur njëri-tjetrin, mund t’i përgjigjemi sfidës së madhe të kohës sonë: ndërtimit të një bote në të cilën mbretëron paqja e drejtësia, ku çdo njeri mund të jetojë me dinjitet. E kjo mund të bëhet realitet vetëm në se fiton epërsinë modeli botëror i solidaritetit të vërtetë, që është në gjendje t’u sigurojë të gjithë banorëve të planetit ushqimin, ujin, ilaçet e nevojshme, por edhe punën, burimet energjetike, pasuritë kulturore dhe njohuritë shkencore e teknologjike.








All the contents on this site are copyrighted ©.